Shehu: Qeveria centralizoi sistemin
shëndetësor, gënjeu për kontributet 

Shehu: Qeveria centralizoi sistemin<br />shëndetësor, gënjeu për kontributet 
Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Tritan Shehu,  e konsideron një politikë krejtësisht të gabuar atë të koncesioneve që po ndjek Ministria e Shëndetësisë.

Duke folur tek “5 pyetje nga Babaramo” në Report TV, Tritan shehu tha se politika e centralizimit të partneritetit publik nga Ministria e Shëndetësisë, duke ua hequr këtë procedurë spitaleve dhe institucioneve të tjera përkatëse krijon monopole në këtë sistem. "Monopolet asnjëherë nuk sjellin gjera të mira, por krijojnë handikape. Qofshin këto publike, por edhe private. Partneriteti publik- privat vuan nga disa sëmundje. Vuan nga sëmundja që vuan sot sistemi, centralizimi i sistemit shëndetësor. Elementi thelbësor i keqmenaxhimit është një centralizim i thellë. Për mjekun e familjes, deri në 2013-ën u bënë disa përpjekje për forcimin e kujdesit parësor. Sot ka ardhur momenti për hapa më të gjata. Qeveria aktuale kthehet mbrapa, duke centralizuar kujdesin parësor. Edhe për emërimin e infermierit në fshatin më të thellë të Dukagjinit, sot duhet firma e Ministrit të Shëndetësisë. Spitalet, çdo blerje, çdo tender, çdo emërim, bëhet nga Ministri i Shëndetësisë, duke u kthyer në një situatë super të centralizuar. I cili padyshim që nuk krijon asnjë lloj iniciative për zhvillimin e shërbimeve", u shpreh Shehu.

Shehu foli edhe për sistemin e kontributeve shëndetësore për të cilin tha se qeveria po vepron krejt në të kundërt të asaj që premtoi në 2013. "Zotërinjtë që qeverisin sot të dalin dhe të thotë se ajo që premtuam ishte një spekulim, por ejani të punojmë së bashku për të gjetur mënyrën e financimit të sistemit shëndetësor shqiptar. Skema rrezikon të futet në kolaps. E ardhja e financimit duhet të bazohet duke rritur kontributin e shtetit, konvertimi i pagesave direkte dhe i kthejmë në kontribute direkte. Kjo bën që të futen në sistemin e formalizuar, formalizimi i të ardhurave dhe për t'i shërbyer më mirë qytetarëve. Sot sistemi shëndetësor shqiptar është më i varfëri në Europë dhe më gjerë", theksoi ai.

Duke u ndalur te tenderi i hemodializës i atakuar fort nga demokratët, Shehu theksoi se dhënia e koncesionit për 10 vjet, e monopolizon atë si dhe ka ngurtësuar çmimin e shërbimit, në një kohë kur kompania nuk kryen asnjë investim. "Krijimi i një monopoli për 10 vjet, për të gjithë Shqipërinë, si ai për hemodializën, ngurtëson çmimin, në një kohë kur çmimet janë në ulje. Pra, për 10 vjet çmimi i shërbimit fiksohet, kur mandati jot është 4 vjet. S'je në një lumë për HEC-e ku e ndërton ai vetë dhe ti i blen energjinë. Ti këtu i jep ambientet, i garanton shitjen dhe paguan në mënyrë të vazhdueshme për 10 vjet. Me këto shërbime nuk kanë asnjë pajisje, pasi kompanitë i japin gratis, në mënyrë që materialet e konsumit t'i blesh te ajo kompani", theksoi ai.

Kritikat e demokratëve shkojnë edhe për check up-in shëndetësor.

Ish ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, thotë se një shpenzim i tillë për kontrollin shëndetësor është i panevojshëm dhe një ekspertizë e tillë nuk ekziston në asnjë vend tjetër. "Ky është një tjetër kapitull. Nuk është i ngjashëm me koncesionet e tjera. Por, ky model nuk ka asnjë rentibilitet të ndjeshëm klinik për kaq shumë shpenzim që bëhet. Ka mënyra të tjera për depistimin dhe kontrollet shëndetësore të popullsisë, ngrihen grupe pune prej 1000 apo 2000 mjekësh dhe veprohet në zona të ndryshme. Cila është eksperienca botërore që i janë referuar qeveritarët? Nuk ka asnjë të tillë. Është një keqpërdorim fondesh dhe vetëm kaq. Është një mënyrë veprimi jo racionale. Sikurse ia kanë dhënë një kompanie private që s'ka asnjë ekspertizë mjekësore. Janë hapur vetëm 3 laboratorë në Tiranë dhe kompania nuk ka bërë asnjë shpenzim tjetër, pasi pajisjet mjekësore i takojnë kompanive dhe jepet me leassing",  tha ai.

Tritan Shehu deklaroi se me ardhjen në pushtet të demokratëve, do të anulohen të gjitha koncesionet e qeverisë në sistemin shëndetësor. 

Redaksia online
(L.Q/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mjeku Alfred Aga në ‘Klinika 24’: Ju rrëfej pse zgjodha kirurgjinë ORL dhe vështirësitë për t’u bërë një mjek i mirë sot

Mjeku Alfred Aga në ‘Klinika 24’: Ju rrëfej pse zgjodha kirurgjinë ORL dhe vështirësitë për t’u bërë një mjek i mirë sot