TIRANE- Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu flet për integrimin në BE dhe për SHBA.
 
Mendoni se mund të rrezikohet statusi nga skeptikët në BE...?
Besoj që të mos na rrezikohet. Është për të mirën e Shqipërisë, rajonit, e vetë BE. Zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor është një element sigurie, force e konsolidimi i asaj vetë. Është ky proces integrues në BE, që zgjidh problemet e këtij rajoni. Unë do them atë që më ka thënë dikur Prodi: "Në botë ka shumë rajone me probleme. Për të vetmin rajon për të cilin ekziston një zgjidhje e qartë, e gatshme e konkrete është Ballkani Perëndimor. Kjo është integrimi në BE. "Shqipëria i ka plotësuar tashmë kushtet për të marrë statusin e kandidatit, madje i ka kushtet për të hapur dhe negociatat. Megjithatë shpresojmë qe kjo e dyta të bëhet vitin e ardhshëm. Ama statusi duhet fituar në dhjetor. Mendoj që tashme na takon për ta arritur. Ky do jetë dhe një kontribut për rajonin tonë dhe për Evropën vetë.
 
Po ka skepticizëm...?
Gjithmonë ka pasur skepticizma, dyshime, por janë të kalueshme me punë. Duhet mund të kalohen. Aq më shumë që vetë Brukseli duket se është koshient tashmë për të vazhduar në rrugën e Samitit të Selanikut. Ka një ndryshim drejt një pozitivizmi të BE për zgjerimin e tij drejt rajonit tonë. Dua të theksoj diçka këtu, s’është e vërtetë që Evropa ka ndryshuar, Evropa ngel po ajo që kemi aspiruar që më 1990, kur thërrisnim “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Në thelb Evropa është e njëjtë, po aq demokratike, e emancipuar e po aq e hapur për vendin tonë. Pavarësisht nga problemet e mëdha qe po kalon, apo nga disa sinjale sipërfaqësorë të interpretueshme gabim. Në thelb Evropa është e njëjta që ka qënë, e hapur për ne, shtëpia jonë e ardhshme. Jemi ne ata që duhet të afrohemi me Evropën, duke e bindur atë që po i ngjajmë gjithnje dhe më tepër asaj. Kjo është një detyrë e jona e madhe për ta realizuar.
 
Çfarë duhet të kemi parasysh ne...?
Sëpari duhet të kuptojme mirë: Integrimi në BE varet kryesisht nga puna jonë. Të gjitha sinjalet që kanë ardhur nga Brukseli së fundmi, qoftë nëpërmjet Barrosos, qoftë nëpërmjet figurave të tjera janë që, vullneti i zgjerimit të BE drejt rajonit tonë është kthyer përsëri pozitivisht. Të mos harrojmë vendet tona fqinje, Malit të Zi, Maqedonisë e Serbisë, iu akorduan statuse të favorshme për integrimin. Kosovës iu hap MSA. Pra nuk ka vullnete negative apriori për integrimin e rajonit e aq më shumë për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Sidomos kur e dimë që rruga deri në anëtarësimin e plotë është shumë e gjatë. Pra s’mund të ketë dhe te tilla qëndrime mohuese ndaj Shqipërisë. Aq më shumë të lidhura këto me politika negative ndaj gjithë Rajonit. Dhe nëse ka disa dukuri të tilla, këto nuk janë aspak të konsoliduara. Jemi ne që duhet ta shfrytëzojmë këtë periudhë, me gjithë aftësitë tona për të lobuar dhe arritur statusin e vendit kandidat këtë vit.

Dhe këtu duhet të mobilizojmë të gjitha kapacitetet që kemi në vendin tonë për të lobuar për Shqipërinë. Mendoj se ka mjaft kapacitete të tilla që duhet të aktivizohen poizitivsht, e nëpërmjet këtyre mundësive duhet të dimë të vëmë në lëvizje më mirë mbështetësit tanë të mëdhenj që janë në Evropë apo jashtë saj. Këtu e kam fjalën në radhë të parë për SHBA kur flas për jashtë Evropës, që është shumë aktive në këtë drejtim. Por duhen sensibilizuar më shumë dhe vendet evropiane që kanë qënë mbështetëse kryesore për integrimin dhe liberalizimin e vizave. Në radhë të parë e kam fjalën këtu për Italinë, me të cilën duhet bashkëpunuar ngushtësisht në këtë periudhë shumë të shkurtër kohore. Italia ka luajtur gjithnjë rolin e avokatit tonë kryesor në Bruksel. Duhet të dimë të mobilizojmë Italinë e institucionet italiane për këtë mbështetje në këtë periudhë. Kjo mund të realizohet duke dhënë efekte shumë pozitive.
 
Dhe Greqisë duhet t’i kërkojmë mbështetje...?
Duhet te kërkojmë një mbështetje të fortë të Greqisë, që nuk na ka munguar në rrugën tonë të integrimit. Të dimë të koordinojmë mirë dhe me Greqinë në këtë periudhë. Një vend tjetër që ka qënë shumë aktiv në mbështetjen tonë integruese është Austria, e cila duhet të nxitet që të japë një kontribut tjetër aktiv në këtë fazë që jemi. Ka shumë vende të tjera me të cilat duhet punuar ngushtësisht në këtë vit. Ne i kemi kapacitetet e mundësitë për ta bërë këtë gjë, pavarësisht nëse këto janë të mazhorancës apo të opozitës. Janë pikerisht këto kapacitetet tonat të brendshme që mund të bëjnë shumë për lobingun tonë, qoftë duke aktivizuar më tej dhe miqte tanë më të mirë në vendet që unë përmenda, apo dhe të tjera. Është detyrë e qeverisë që të dije të mobilizojë e të shfrytëzojë gjithë këto kapacitete ekzistuese në Shqipëri. Unë s’do ta konsideroja sukses marrjen e statusit këtë vit, por një domosdoshmëri, një detyrim që duhet ta realizojmë patjetër. Të kundërtën do ta konsideroja një disfatë shumë të madhe. Hapjen vitin tjetër të negociatave do e konsideroja sukses. I kemi gjithë mundësitë për të dyja.
 
Refuzimi i armëve kimike siriane ndikon për statusin...?
Nuk mund të them nëse ka ndikuar apo ndikon. Dhe as nuk besoj se do ndikojë negativisht. Por ama them këtë gjë: Shqipëria humbi një shans për t’u faktorizuar më tepër, për të forcuar lidhjet e saj akoma më shumë me SHBA, si një aleat i pallogaritshëm edhe në procesin e integrimit tonë në BE.

“Në rajon ka rryma kundër Integrimit”
Ish-ministri i jashtëm demokrat Tritan Shehu shprehet se ka në rajon rryma dhe interesat që duan ta mbajnë jashtë BE. “Nuk mund të mohohet se sot në Rajon qerkullojnë dhe rryma e interesa, që duan ta mbajnë këtë jashtë BE ose ta përdorin integrimin e këtij rajoni për interesat e tyre. Kjo është shumë e rrezikshme. Dhe për këtë këtu duhet të jemi koshientë këtu, por dhe BE duhet të jetë koshient për këtë dukuri në politikat e tij”, tha Shehu.

Vimont
Sekretari i Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS vlerësoi progresin e Shqipërisë. “Përpjekjet tuaja na bëjnë optimistë për të ardhmen e Shqipërisë”.
 
Fyle
“Jam i impresionuar nga puna e bërë së fundmi. Raportimet tuaja janë shumë domethënëse. Këtë duan të shohin edhe vendet anëtare. Vazhdoni kështu deri ne fund”.
 
Malsmtrom

“Shqetësimi im mbetet komuniteti rom duke qenëse ata përbëjnë pjesën më të madhe të azilkërkuesve dhe do të doja të shikoja punë më të madhe në këtë drejtim”.
 
Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)