Një shtëpi dykatëshe në zonën muzeale të Gjirokastrës është shembur duke rrezikuar jetën e 10 pjesëtarëve të një familje që jetonte në të.
 
Bëhet fjalë për banesën 150-vjeçare që do të shikoni në pamje, e cila gjendet poshtë kështjellës së qytetit në lagjen “Partizan”.
 
10 anëtarët e familjes së Tahir Luke ndodheshin në banesë në momentin që është shembur pjesa anësore e saj, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk është lënduar.
 
Në ndërtesën dykatëshe kanë jetuar me qira disa familje, pavarësisht se objekti ishte i papërshtatshëm dhe rrezikohej shembja e tij.
 
Ndërtesa ishte në gjendje të degraduar prej vitesh, por tërmeti që ra ditët e fundit në Gjirokastër i ka dhënë dhënë edhe goditjen e fundit.
 
Familja që jetonte në këtë ndërtesë është strehuar në konvikt.

‘’Janë marrë masa që pjestarët e familjes të evakuohen. Do t’i ofrojmë një strehim të mundshëm apo qera banese sipas rregullave në fuqi’’, është shprehur Bashkim Brahimi, shef i Emergjencave Civile.  

Janë gati 200 ndërtesa të vjetra në Gjirokastër, të cilat rrezikohen seriozisht nga shembja. Vetëm në një pjesë të tyre është ndërhyrë, ndërsa pjesa më e madhe janë në degradim e sipër.

[gallery]19284[/gallery]

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com