Kjo është pamja e rrugës Shëngjin–Velipojë, pranë fshatit Rrjoll. Për shkak të rrëshqitjes së dherave, traseja e rrugës ka pësuar çarje në një gjatësi të konsiderueshme dhe rrezikon shembjen e plotë.

Pas problematikës së krijuar, është bllokuar një krah i lëvizjes në zonën ku janë konstatuar rrëshqitjet e dherave dhe qarkullimi kryhet me vështirësi vetëm në njërin sens. Siç shihet në pamjet e Report Tv rruga paraqet rrezikshmëri për drejtuesit e automjeteve.

Kompania që ka ndërtuar këtë segment rrugor ka vendosur barriera betoni dhe sinjalistikë në një gjatësi prej 50 metrash.

Rruga panoramike Shëngjin–Velipojë u hap për qarkullimin e automjeteve në pranverë të këtij viti. Ky segment rrugor, me gjatësi 15 km, është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me 3.8 milionë euro, dhe kompania fituese e tenderit është Gener 2.

Sipas të dhënave, është kompania ndërtuese ajo që ka detyrim ligjor të ndërhyjë për çdo problematikë deri në prill të vitit 2026 kur do të dorëzohet projekti.

 Por ky nuk është rasti i vetem. Pak ditë më parë Report Tv solli në vëmendje dëmtimet në ura që ka pësuar autostrada me pagesë Thumanë–Kashar, që u promovua si “autostrada e parë e kategorisë A në Shqipëri”.

Këto janë rrugët e reja, të inaugurara me pompozitet që po përballen me defekte serioze brenda pak muajsh. Çarje, shembje, rrëshqitje, dhe ndërhyrje të përkohshme janë bërë tashmë realitet i përditshëm.