Banorët e banorët e Paskuqanit në Tiranë kanë dalë në një protestë pasi  thonë se qeveria nuk i ka legalizuar shtëpitë dhe do t'i prishë për shkak të punimeve për Unazën e Madhe të kryeqytetit. Banorët thonë se para zgjedhjeve u është thënë se projekti ka qenë për tu ndërtuar unaza anës lumit, ndërkohë që tani pas zgjedhjeve është spostuar dhe parashikohet të kalojë në mes të lagjes.

"Ka rënë unaza, nuk bëhen legalizimet. Kështu më thanë. Pse tjetrit iu bë para 25 javëve dhe mua jo. Ku të shkoj unë? Të dal në rrugë të madhe?", tha një banore.

"Kemi futur letrat për legalizim dhe nuk na e kanë dhanë. Projekti i rrugës ka qenë anash rrugës, tani e sjellin nëpër lagje", thotë një tjetër.

Devijimi i projektit të unazës së madhe, ka nxjerrë në protestë edhe banorët e Paskuqanit, ku pritet të shemben 100 banesa. Banorët thonë se kanë aplikuar për të marrë titullin e pronësisë që prej vitit 2006, por Hipoteka ua ka refuzuar. Këtë të mërkurë vendosën të bllokojnë rrugën, pasi sipas tyre dhe devijimin e projektit e kanë mësuar në rrugë jo zyrtare.

 “Me zor kam rregulluar shtëpinë, me zor, të më dëmshpërblejnë shtëpinë shteti, Edi Rama. Ku të shkoj unë?”

“Këta nuk japin asnjë informacion ,as nuk përgatisin asgjë. Nuk pyesin për njerëzit. Nuk pyesin për jetën e këtyre njerëzve të mjerë, mjeranësh të shtetit shqiptar.”

‘Kërkojmë të drejtat tona. Pse është devijuar rrugën, e kanë nxjerr nga ne se s'ka qenë nga ne.”

Protestës i janë bashkuar edhe disa fëmijë, ndërsa nuk munguan as përplasjet me policinë. Pas bllokimit të rrugës për disa minuta u desh ndërhyrja e efektivëve të policisë për të bërë të mundur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve. Banorët e Paskuqanit, thanë se protestën e radhës do ta mbajnë këtë të enjte para parlamentit.