Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga situata në Kepin e Rodonit, pas shembjes së ndërtimeve pa leje në këtë zonë. Kreu i qeverisë shkruan bashkangjitur pamjeve se forcat e xhenjos kanë zbarkuar në zonë për të pastruar volumet e mëdha të inerteve, dhe thekson se aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje do të vazhdojë.

“MIRËMËNGJES dhe me rivendosjen e rendit ligjor në trupin e mrekullueshëm të Kepit të Rodonit, ku u shkulën të gjitha ngrehinat e “tokës së xanun” e ku tanimë forcat e xhenjos po pastrojnë volumet e mëdha të inerteve, si edhe me vullnetin e plotë për ta vazhduar këtë kthesë të re për Rilindjen Urbane 2.0, ju uroj një ditë të mbarë”,- shkruan Rama.

Qeveria ka nisur në të gjithë vendin një aksion për lirimin e hapësirave publike, që ka prekur shumë ndërtime pa leje deri tek ish-zyrtarë të lartë, siç ishte rasti i ish-kreut të IMT-së në Durrës, Ardian Halili, i cili ndërtoi një resort 5.600 m2 pa leje po në zonën e Kepit të Rodonit.