Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoriteti Rrugor Shqiptar, Indrit Koleci, ka folur mbi situatën në aksin Librazhd–Pogradec, pas shembjes së ndodhur në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Sipas Kolecit, aktualisht nuk mund të jepet një afat i saktë për stabilizimin e plotë të rrëshqitjes, pasi po vijojnë studimet teknike në terren.

“Afate nuk mund të themi, pasi kemi bërë relevim të zonës së poshtme të lumit. Kemi bërë një rilevim të shtratit të lumit. Vazhdojmë studimet në pjesën e sipërme për stabilizimin e masës së rrëshqitjes. Afate s’mund t’ju themi pasi janë volume të konsiderueshme,” u shpreh ai.

Sipas tij, brenda 3-4 ditëve pritet të ketë një vlerësim më të qartë për kohëzgjatjen e ndërhyrjes dhe për një afat paraprak të punimeve.

Ndërkohë drejtori i ARRSH, Ami Kozeli tha 

"Kemi një mobilizim total. Nga mbrëmja e djeshme kontraktori ka nisur vendimin e këshillit teknik, konkretisht mbulimin e shtratit lumor, demolimin e urës, dhe lehtësimin e masës së rrëshqitjes në planin e sipërm, kjo për të çuar skarpatën drejt një ekuilibri natyral të saj. Shërbimi gjeologjik ka sjellë gjithë ekspertizën. Sot janë 70 eksvatorë dhe  20 kamionë që po punojnë. Inxhinierët e autoritetit rrugor kanë ardhur për të bërë inspektimet e nevojshme", tha ndër të tjera Kozeli.


Lajmi kryesor:

Juglindja 5 ditë në izolim, shembet ura te ‘Arrat e Gurrës’! Do të ndërtohet rruga provizore, s'ka afat për hapjen! Nis devijimi i lumit Shkumbin (VIDEO)