Në konferencën për mediat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, njoftoi masat e marra pas bllokimit të aksit Librazhd-Prrenjas.
"Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare: Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj; Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.
Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore", tha Beja.
Ndër të tjera ai shtoi se pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës, kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00; kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë dhe kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim.
"Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.
Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri", theksoi ai.
Beja shtoi se në pikën doganore të Bllatës pala maqedonse nuk lejon kalimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore si të botëve të naftës.
Këto lloj kategorie duhet të kalojnë nëpërmjet Kosovës. Pra ato kamionë, që kanë hyrë tashmë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë të zhdoganuar, apo nën regjimin e tranzitit të brendshëm përmes zyrës doganore Qafë Thanë, duhet të dalin përsëri nëpërmjet kësaj zyre doganore dhe të futen nëpërmjet Blattës.
Lajmi kryesor:
Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas bllokon rreth 40 kamionë në Qafë Thanë, drejtuesit 3 ditë në pritje! Para izolimit, në Bllatë vetëm 8 kamionë, sot 50 në ditë (VIDEO)










