Në konferencën për mediat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, njoftoi masat e marra pas bllokimit të aksit Librazhd-Prrenjas.
"Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare: Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj; Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.
Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore", tha Beja.
Ndër të tjera ai shtoi se pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës, kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00; kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë dhe kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim.
"Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.
Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri", theksoi ai.
Lajmi kryesor:
Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas bllokon rreth 40 kamionë në Qafë Thanë, drejtuesit 3 ditë në pritje! Para izolimit, në Bllatë vetëm 8 kamionë, sot 50 në ditë (VIDEO)











