TIRANE-Kryebashkiaku Erion Veliaj i ftuar në emisionin 'Repolitix' në Report Tv u shpreh se nuk u trembet aspak protestave të opozitës dhe se Ilir Meta nëse do të ishte dashnor i tallashit ta kisthe shpallur monument kulture Teatrin Kombëtar kur ka qenë kryeministër i vendit.

Projektet për Tiranën, Veliaj tha se nuk do të ndalen dhe se së bashku me Edi Ramën do të vijojnë drejtimin e vendit, pasi sipas tij, PD-ja nuk ka shans që të vijë në pushtet. Kryebashkiaku zbuloi se ka pasur një komunikim edhe me komisionerin e zgjerimit në KE për t'i shpjeguar të vërtetën e tij.

Veliaj tha se Oliver Varhelyi e kuptoi kurthin e PD-së. Erion Veliaj u bëri thirrje edhe njëherë artistëve për dialog për detajuar projektin e Teatrit të ri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:59
U trembet protestave nga opozita? Veliaj 'thumbon' Bashën: Nuk do të jem në gjumë

Opozita ka paralajmëruar protesta, por Erion Veliaj tha se nuk u trembet dhe 'thumboi' Bashën. "Unë sikur isha atë natë që nuk isha në gjumë, as kur të ketë protesta nuk do të jem në gjumë. Sa të jem kryetar i bashkisë do të punoj cdo ditë që të ketë më shumë shkolla dhe kopshte dhe hapësira të rinovuara".

Ora 21:49
Veliaj tregon ku ishte kur u shemb teatri: Dera u hap me forcë, kisha një merak! Me Ramën flas 5 herë në ditë

Erion Veliaj tregoi sonte në Repolitix se në momentin që u shemb teatri operacionin e ndoqi nga bashkia e Tiranës. Duke hedhur poshtë akuzat e artistëve, ai tha se teatri është kontrolluar tre herë dhe pasi janë nxjerrë të gjithë jashtë u bë ndërhyrja për ta shembur.

"Kam 15 vite që komunikoj me Edi Ramën rreth 3-5 herë në ditë, kush ka iluzionin se do të thyhet kjo marrëdhënie dhe ta kthejnë prapë qytetin në gjumë do të zhgënjehen. Ditën që u prish teatri kam qenë në bashki, kam ndjekur një operacion që ishte delikat. Meqë e mora përsipër do të drejtoja pjesën time të punës deri në fund dhe u sigurova që të shkonte me sa më pak problematike. Inspektorët zbrazën bashkinë, u futën edhe ata anti-eksploziv, ata kanë dalë të fundit.

Dera po, është hapur me forcë. Doli inspektori i fundit me jelekun e kuq, dhe kur i fundit e ka parë tre herë, është goditur ndërtesa. Kur ndodhi ndërhyrja policia i kishte shoqëruar të gjithë. Nëse kanë prova të shkojnë në prokurori. U verifikua tre herë, u goditën dy dyert, që nuk kishte më tentativa për të hyrë, pasi mbaroi zbrazja u më pas shembja. Pata një merak, por policia u soll në mënyrë profesionale. Me të gjithë ambasadorët që folëm me shumë prej vendeve të tyre, policia do të kishte pasur një sjelle më agresive. Nuk patëm asnjë gërvishtje".

Ora 21:48
A do të ketë kulla pas teatrit? Veliaj: Mund të bëjmë hotel, zyra....s'kemi propozime tani

Pikëpyetje ka për hapësirën pas teatrit se cfarë do të ndërtohet, pasi opozita akuzon se do të ngrihen kulla, por cfarë do të ndodhë aty? Erion Veliaj u jep një përgjigje nga emisioni Repolitix. "Mund të ndërtojmë zyra për bashkinë, apartamente, hotel me 5 yje, apo shkollë, atë e vendos bashkia e Tiranës.

Cdo gjë jashtë teatrit janë planet e bashkisë. PD-ja pyet kush do e marrë atë, se do të vendosë gjobë. Është tokë e bashkisë. Një hapësirë e mbushur me vaj makinash. Cfarë halli keni? Bashkia është pronare e tokës dhe si cdo pronar, pse qenka privati më i zgjuar dhe familja jonë bashkia nuk e shfrytëzon maksimalisht. Cfarë lidhje ka me teatrin?

Te teatri do të bëhet teatri. Sikur unë nuk jap mend si bëhet montazhi në studio, ju lutem keni opinione të gabuara. Secili ke puna e vet, mos besoni legjendat urbane. Toka e bashkisë do të shfrytëzohet nga bashkia. Mund të bëjmë një hotel ne, pse mos kemi zyrat e bashkisë së Tiranës. Nuk kemi asnjë propozim për momentin, ndërsa teatrin do ta qajmë".

Ora 21:38
Akuzat e Metës, Veliaj: Unë as kam vjedhur, as vrarë...bëhemi miq prapë! Komisioneri i KE-së e kuptoi kurthin e PD-së

Kryebashkiaku Erion Veliaj rrëfeu se ka pasur kontakte edhe me komisionerin e KE-së për zgjerimin lidhur me cështjen e Teatrit duke i shpjeguar të vërtetën e tij. Veliaj tha se Oliver Varhelyi e kuptoi kurthin e PD-së.  "Kam pasur kontakt me ambasadorë dhe jemi të gjithë të qartë se është konsumuar dialogu, si në vendet e tyre ku vendos qeveria dhe bashkia edhe këtu kështu është bërë, por jemi të hapur për dialog. U bindën që kryetari i bashkisë i paska takuar 12 herë.

Ajo që tha komisioneri pasi i çuan informacionin dhe pa takimet me Neritanin dhe Budinat, u bind. Kur panë letrat që që nga viti '40 nuk paska qenë monumente kulture ai tha se kjo është cështje lokale tha pse na fusni në qorrsokak edhe është i së djathtës i partive të Lulit. Komisioneri për zgjerimin sapo kuptoi se ishte një kurth dha një përgjigje të menduar, tha është cështje lokale mos na fusni në politizimin që u bëni edhe lodrave".

Presidenti Meta sot foli për mafie dhe tirani, referuar qeverisë, ndërsa Veliaj e ironizoi dhe injoroi duke e cilësuar qesharak. "Kjo është qesharake, unë as kam vjedhur, as vrarë njeri, as kam pasur procese, nuk e di kujt i referohet. Ndonjëherë pre e emocioneve Presidenti shquhet që ka thënë gjëra jo të mirë menduara që do të sillej si Alende.

Ndodh tipikisht cdo qershor, u bënë disa qershor, kur Presidenti ka një muaj ventilimi, kur e shkarkon këtë energji bëhemi miq prapë, kjo është jeta, por sonte është natë Kadri dhe nuk dua të flas keq për asnjeri. Ka qenë kryeministër dhe ministër dhe nëse ishte dashnor i teatrit mund ta shpallte monument kulture" tha ai.

Por çfarë mendon ai për Pandeli Majkon që votoi kundër shembjes? "Nuk ka penguar prishjen e Teatrit, thjesht nuk është avancuar me projektin, dhe sot është koha për të avancuar, por as Majko nuk e shpalli monument kulture, ra dakord se është pa vlera, përsa kohë nuk e shpalli ka rënë dakord me të gjitha qeveritë nga '40-2020" tha ai.

Ora 21:35
Teatri i ri me kredi, Veliaj: 17 banka europiane janë interesuar për të financuar

Erion Veliaj u shpreh se teatri i ri do të bëhet me kredi dhe deri tani 17 banka europiane kanë shprehur interes. "Projekti nuk është gati, e kemi projekt ide, por duhet detajuar.

Do të punojmë tre muaj për detajimin nga vjeshta do të bëhet prokurimi, sot 17 shprehje interesi nga Banka Europiane për të financuar këtë projekt do të ecim përpara për ta financuar.

Skuadra daneze-shqiptare do të vijojë me detajimin e projektit. Do të ketë një garë të hapur se kush e ndërton më shpejt, më mirë dhe më lirë. Kostoja do të vijë pas detajimit"

Ora 21:31
Veliaj: PD s'ka shanse të vijë në pushtet, vitin tjetër Rama merr mandatin e tretë, Basha gjobaxhi, keqardhje për demokratët

Për Erion Veliajn, PD-ja nuk ka shans që të vijë në pushtet pasi saboton dhe është kthyer nga Lulzim Basha në një parti që vendos gjoba. "Nuk ka asnjë shans që një parti që vetëm saboton që të vijë në pushtet. Mos i bjerë në qafë robit të mirë që punon, lerë të qetë. Një pakicë që bërtet shumë, por nuk ka asnjë impakt. 

Edi Rama po përgatitet për një mandat të tretë. Për dikë që nuk zgjohet nga gjumi dhe e ka kthyer partinë në një gjobëvënie, kërcëno një kontraktor, ai shkon e zgjidh me kunatin, në mëngjes thotë oligarkë pastaj shkon i merr dy vila dhe nuk i përmend më emrin.

Rri tërë ditën me njerëzit e pasur të këtij vendi dhe i shan. Këtej thotë u thotë oligarkë, këtej thotë do të sulmoj qendrat tregtare. Demokratët këtë e dinë, më vjen keq që kanë mbetur në dorën e një gjumashi".

Ora 21:22
Veliaj shtrin dorën për dialog: Ejani që të detajojmë projektin për teatrin e ri

Për vendimin ka pasur pikëpyetje lidhur me zbatimin e afateve ligjore, por cfarë mendon Erion Veliaj për këtë? "Një nga gafat që bëjnë grupe të tilla, dakord se janë disa pseudoartisë. Juristja kryesore aty sot doli se ishte dënuar për mashtrim. Këta janë bërë barcaletë.

Njerëz që sapo kanë mbaruar dënimin për mashtrim akuzojnë të tjerët. Ligji ka një pjesë të dytë, vendimet me karakter individual hyjnë në fuqi menjëherë. Por ata e kuptuan se janë jashtë loje komplet. Opozita është katandisur".

Por si e komenton Veliaj deklaratën e ambasadës së SHBA-së, që theksoi se gjithpërfshirja ka shumë rëndësi në këtë proces, dhe pse nuk u tentua dialogu? "Dialogu vijon prej 22 vitesh. Edhe kolegëve në BE ua kam çuar me foto. Prova për dialog ekziston, të dielën e sqarova edhe në shqip edhe në anglisht. Kemi pasur plot udhëheqës që nuk kanë bërë asgjë, si ai që ishte përpara meje që nuk rregulloi as sahatin.

Shfrytëzuam mundësinë për dialog, por jemi në kohë kemi edhe tre muaj për të detajuar dialogun. I kam  dëgjuar ata që thonë ty do ta bëjmë varrin këtu, Ramës atje, të vdektë djali, etj i kam dëgjuar të gjitha.

Ambasadorja e SHBA-së i referohet shkëputjes së PD-së dhe LSI-së nga zgjedhjet sepse ai është proces politik që po ndjekin ambasadat. Teatri është cështje lokale nuk patën ambasada që u morën në Firence apo në Berlin ku u prish pallati i Republikës" tha ai.

Ora 21:22
Veliaj: Para 2023 do të përfundojë Teatri i ri Kombëtar, hapësirë muzeale për të vjetrin

Teatri i ri Kombëtar do të përfundojë përpara vitit 2023. Kështru u shpreh Erion Veliaj sonte në Repolitix. "Do të fillojmë punë menjëherë, po detajojmë projektin, pastaj ndërtimi. Përpara fundit të mandatit tim do të ketë përfunduar teatri i ri, para 2023. Nëse do të lejohemi që të punojmë normalisht.

Ne do ta mbarojmë përpara 2023. Në funksion të teatrit të ri ka vend për dialog. Do të ketë një hapësirë muzeale për teatrin e vjetër. Do të kemi një miniaturë të teatrit të vjetër" tha ai. 

Artistët dje në protestë kërkuan dorëheqjen e tij, por Veliaj thotë se "Mund të kërkojnë cfarë të duan, por gjërat kalojnë nga votimet. Kur njerëzit të mos kenë nevojë për shërbim tim do të largohem, por përsa kohë votojnë këtë frymë dhe pasion do  u shërbej".

Ora 21:13
Shembja e teatrit, Veliaj: Operacioni shkoi fjollë, u dola borxhit, hajde të bashkohemi tani

Kryebashkiaku Veliaj tha se operacioni shkoi shumë mirë dhe tashmë bëri thirrje për të parë përpara për të detajuar projektin e ri.

"E vetmja gjë që di është që cdo herë kam provuar se nëse them një gjë e bëj, unë thashë që vendimi u mor dhe ajo do të ndodhë. A nuk njoftova orën? Ah sigurisht, vullneti i shumicës do të respektoj ku të cënohej sa më pak vullneti i pakicës, ishte ai kurt ishin 30-40 vetë, ku zotëria tha vetë se ne jemi zaptues.

U treguam shumë civilë, vajtën zonjat dhe zotërinjtë e policisë bashkiake u lanë aktin e konstatimit, keni detyrim ta lironi, i përzunë, i shanë, fitore, fitore...U tallën me shtetin, shteti do të vendosë autoritet. Përsa kohë u dola borxhit, dac rrinë zgjuar, dac në gjumë ne do ta prishim dhe operacioni shkoi fjollë".

Ora 21:10
Rama u la 'pataten e nxehtë'? Veliaj: Opozita iku me bishtin ndër shalë, ne bëjmë gol për Shqipërinë

Një pjesë e njerëzve mendojnë se cështjen e teatrit të konsideruar si 'patate të nxehtë' Rama ia kaloi me qëllim Veliajt për ti lënë përgjegjësinë ligjore, por kryebashkiaku e mohoi duke u shprehur se opozita gjithmonë ka dështuar në aksionet përballë bashkisë duke ikur me bishtin ndër shalë.

"Nuk ka një institucion në qeverinë qendrore që të ketë aftësi e stafit të bashkisë që të përfshijë urbanistë njerëz të trashëgimisë, të ketë fuqi financiare për të menaxhuar kredi. Ne kemi menaxhuar projekte shumë herë më të mëdha. Bashkia e Tiranës është sprovuar.

Edhe në rastin e Tërmetit është vetë menaxhere. Unë dhe Edi Rama nuk pasojmë papate të nxehtë, por topin për të bërë gol për zhvillimin e Shqipërisë. Unë nuk krenohem me disfatat e të tjerëve, marrin vendimet e tyre, iku me bishtin ndër shalë nga Bregu i Lumit, Astiri, liqeni, pazari, etj. Dua të shkojnë të jetojnë në fshatrat e oligarkëve kur flasin për varfërinë le ta bëjnë.

Ka një tundim për t'u marrë me punë komunale. Ai po kandidon për kryeministër dhe mendjen e ka te bashkia, të cilën e kishte 4 vite. Nëse të ka mbetur merak bashkia hajde në zgjedhjet e tjera. Nuk merrem as me punët e Presidentit as të opozitës. Gjumi i Lulit dhe vijat e kuqe që koleksionon. Ftesa ime për demokratët dhe socialistët është që edhe fëmijët tuaj do të shkojnë në një teatër të ri" tha ai.

"I kam vënë re të gjitha sulmet, mallkimet, sharjet dhe kush duhet të vdesë i pari në familjen time. Unë jam i vendosur sa të kemi takatë të lemë një shenjë në këtë qytet dhe kryeministri në këtë shtet. Të rikuperojmë vitet e humbura. E kam pasur këtë sulm që ditën e parë që fillova punën me projektet e para. Në zemrën time janë të gjithë të falur. Nuk ka qenë kurrë monument kulture, të bëhemi bashkë në këtë natë të shenjtë dhe të ecim përpara" tha ai.