Shenasi Rama-Grid Rroji: Shqipëria
duhet të ndërtojë shtetkombin e vet

Shenasi Rama-Grid Rroji: Shqipëria<br />duhet të ndërtojë shtetkombin e vet
Shenasi Rama dhe Grid Rroji prezantojnë manifestin e tyre politik "Bleta Shqiptare" duke kërkuar ndërtimin e një shtet-kombi të shqiptarëve, me një politikë të jashtme të bazuar te çështja kombëtare, administratë të pakorruptueshme, parti politike si instrumente të popullit e jo bandave mafioze.

Duke folur në emisionin 45 minuta të gazetarit Denis Minga, në Report TV, ata bënë përgjegjës klasën politikë të këtyre 26 viteve për situatën në vend.

Sipas tyre, shqiptarët nuk duhet të shohin çdo të ndodhë me integrimin europian me të cilën ata janë mashtruar, por duhet të nisin të ndërtojnë shtet-kombin e tyre pa qenë e nevojshme të presin zgjidhjet nga të huajt.

Z.Rama, është hera e dytë, tentoni të hyni në politikë...
Shenasi Rama: Për ne kohët dhe hera nuk kanë rëndësi. Përsa kohë jemi gjallë, ne do të shikojmë rrugën tonë. 

"Bleta Shqiptare" është paraqitur sot si partia më e re shqiptaro-amerikane. Po cfarë është në të vërtetë dhe çfarë synon ky manifest ?
Shenasi Rama: Bleta shqiptare është një dritare informative shqiptare që mbahet gjallë nga kontributi i shqiptarëve. Bleta shqiptare ndjek modelin e kombeve më të përparuara të cilët gjetën frymëzimin për të ndërtuar shtete funksionale. Gjatë shumë viteve unë, doktorant Grid Rroji, doktorante Valbona Karanxha, kemi kontribuuar për informimin e shqiptarëve kudo që janë me këtë këndvështrim. Në këtë gjendje katastrofale në të cilën gjendet kombi dhe shteti shqiptar, duam të ndërtohet rruga për një të ardhme më të mirë, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të jetojnë ashtu siç duhet. 

Z.Rroji, pse zgjodhët këtë emër?
Grid Rroji: Është një portal unik në hapësirën shqiptare, sepse ka një qasje kombëtare të çështjeve të ditës. Në këtë kontekst, te "Bleta Shqiptare" çdo shqiptar mund të shkojë dhe të informohet.

Manifesti juaj është pse shqiptarët s'duhet të jenë më skllevër...Ç'do të thotë kjo?
Grid Rroji: Ky manifest ka tre pika kryesore, një analizë të situatës ku gjendet shqiptarët sot, dramatike, një shtet ku po rrënohet dita ditës, një klasë politike kleptokratike, Shqiptarët duhet të ishin zotërit e këtij shteti. Kush ka sunduar këto vite? Kanë sunduar grupime të ndryshme, aleanca të ndryshme me baza fetare, etnike dhe me baza rajonale, të cilat punuar kundër interesit të shqiptarëve, të cilët s'e njohin veten për shqiptarë dhe i urrejnë shqiptarët. Në 90-ën, 95-98% e shqiptarëve, vetëquheshin shqiptarë, sot ai numër ka shkuar në 70%. Me këtë ritëm shqiptarët do jenë minoritet në shtetin e tyre. 

Kush janë minorancat që po na qeverisin?
Grid Rroji: Janë me baza fetare, etnike kemi pakica greke, serbe të organizuara në parti, lobe politike dhe ekonomike. Dominojnë pozicione kyçe në shtet. 

Meqënëse ju z.Rroji keni punuar me të, a futet Berisha në këto klane, këto lobe?
Grid Rroji: Absolutisht që po. 

Të kujt aleance?
Grid Rroji: Do të përkufizoj nocionin e parisë, që është ky grup i mirëstruktuaruar i ndarë në klane të ndryshme. Këto klane janë të kryesuar nga njerëz. I pari është Sali Berisha, pa asnjë lloj kompleksi, Edi Ramën, Ilir Metën, Lulzim Bashën, megjithëse është fiktivisht në krye të PD. Nga viti 90 e këtej janë fajtorë për krimin e përbindshëm që është kryer ndaj shqiptarëve. Na kanë imponuar një kapitalizëm ku dominon marrëzia, kërkojnë t'i kthejnë shqiptarët në skllevër. 

Z.Rama, gjatë këtyre viteve amerikanët kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në Shqipëri,nëse është kështu sic thotë z.rroji pse amerikanët e kanë lënë këtë lloj realiteti?
Shenasi Rama: Kjo pari është një konglomerat e cila e njeh mirë mënyrën e funksionimit të shtetit dhe që ka qenë në gjendje këto 27 vite që të minojë çdo përpjekje edhe pozitive nga aleatët dhe miqtë që ka ky vend. SHBA-të janë aleati kryesor i shqiptarëve si komb. Numër dy, problemi është se në shtëpinë tonë, problemet duhet t'i zgjidhim ne vetë, Në shtetin shqiptar çdo përpjekje që bëhet nga të huajt, do të kalojë në filtrin e parisë së Tiranës. Paria e Tiranës, që është një grup kompakt i lidhur me martesa, krushqi, interesa, origjina fetare, rajonale, është kthyer në faktorin kryesor që nuk e le këtë vend të ecë përpara. 

Reforma në Drejtësi, e mbështetur nga SHBA, e zhbën këtë pari? 
Shenasi Rama: Pas diskutimeve që kemi pasur nga kolegët tanë, kemi arritur në përfundimin që edhe po u zbatua kjo reformë, do të ketë mangësi. Për ne s'është e rëndësishme vetëm reforma, por forcimi i shtet-kombit. Reforma është një hap pozitiv, por që s'do të ketë rezultatin që duam ne. Stabiliteti dhe shteti ligjor nuk janë të barabartë me shtet-kombin. Shtet-kombin mund ta ndërtojnë vetëm shqiptarët. 

Z.Rroji, keni parasysh edhe Kosovën, kur flisni për shtet-kombin?
Grid Rroji: Manifesti nuk ezauron tërësinë e problemeve shqiptare. Por për të nisur në këmbën e mbarë duhet të sistemojmë problemet këtu. Pra, një shtet të qëndrueshëm, i cili të krijojë një Shqipëri sovrane. Me këtë manifest, duam t'u tregojmë njerëzve se situata është e ngjashme me një "Titanik" që po mbytet. Çdo kush që dëshiron të angazhohet politikisht, duhet ta kuptojnë se ky është problemi, kjo është zgjidhja. Nuk mund të presim të vijë dikush nga jashtë. 

Z.Rama, ju s'keni aleat nga partitë tradicionale nga sa kuptohet. Kë keni aleat në nismën tuaj?
Shenasi Rama: Ne s'kemi aleat, sepse s'jemi nisur për të kërkuar aleatë por për t'i shërbyer popullit tonë, që në këtë pikë kaq kritike, të mund të gjejmë zgjidhjen e duhur. Ajo që ju e quani establishment është një bandë hajnash dhe kriminelësh që duhen varë në litarë. Kushtetuta duhet të ndryshohet, dënimi me vdekje duhet të vendoset, duhet ngritur një Gjykatë Speciale, pasi është një shtet i krimbur që drejtohet nga hajnat dhe kriminelët. Dënimin me vdekje e ke në Amerikë. 

Dënimi më vdekje nuk mund të hiqet përderisa ne jemi pjesë e Këshillit të Evropës?
Shenasi Rama: Po ne mund të dalim nga Këshilli i Evropës nëse është e nevojshme, të rishkruajmë Kushtetutën nga e para.

Ne jemi në rrugën drejt BE-së...Kemi një projekt për integrimin, rruga jonë është BE...
Shenasi Rama: Kjo është rruga e marrëzisë kombëtare, Europa po shpërbëhet. Europa është në një krizë të thellë. Europa të ka thënë që për 20 vitet e ardhshme s'do merret me ty. Ke një shtet që dërgon në Europë drogë, prostituta dhe banda. Ky ka qenë mashtrimi më i madh i luajtur me shqiptarët. Ashtu si merhumi me rrëfimin imperialist-revizionist, këta na thonë integrimin europian.

Atëherë sipas jush cili është projekti i vlefshëm për Shqipërinë?
Shenasi Rama: Unë shoh së pari shtëpinë time, kur ne të kemi një shtet normal, bazuar në ligj, kur zyrtari i korruptuar e di që s'e ka të gjatë jo vetëm zyrën, por edhe pasurinë e jetën. Shtet ku vendoset drejtësia mbi pronën. Ky është një shtet ku krimi është kthyer në sistem, pjesë e këtij mashtrimi është edhe integrimi europian. Ne na duhet të ndjekim shembullin e kombeve të tjera të përparuara të botës si Izraeli, Gjermania, Polonia, Suedia etj. 

Z.Rroji, sipas jush kush është rruga për Shqipërinë?
Grid Rroji: Z.Rama tha se rruga që po ndjekim sot është një gënjeshtër me bisht. Që të bëhet Shqipëria duhet të ndërtojmë shtetin rreth bashkësisë shqiptare. Ne duhet të mbështetemi te aleatët strategjikë, por nuk mund të presim që zgjidhjet politike të na vijnë nga jashtë. Me anë të një propagande të shfrenuar këta na kanë bërë që të jetojmë në një gjendje marrëzie kolektive. 

Ju s'jeni që Shqipëria të ketë udhërrëfyes BE-në?
Grid Rroji: Shqipëria duhet të ndërtojë shtet-kombin e vet. BE thotë në 2035-ën, nëse BE do të ekzistojë deri atëherë, nëse BE shpërbëhet, çfarë do të bëjmë ne? Ku do t'i çojmë gjithë këto vite, gjithë këto struktura? Kjo është thjesht baltë dhe hi syve që iu hidhet shqiptarëve me një djallëzi të plotë, që i bën këta kriminelë historikë. Ajo që duhet të bëjmë është që, të gjithë bashkë, ta kuptojmë këtë gjë, të ulemi e të themi: "barka po mbytet të shpëtojmë ç'mund të shpëtojmë". 

Çfarë propozoni ju?
Grid Rroji: Propozojmë ndërtimin e një shtet-kombi të shqiptarëve, me një politikë të jashtme të bazuar te çështja kombëtare, administratë të pakorruptueshme, parti politike instrumente të popullit e jo bandave mafioze. 
Shenasi Rama: Këta kanë ndërtuar një strukturë zgjedhore e cila garanton që s'mund të hysh në sistemin partiak, n.q.s nuk je pjesë e parisë. Ajo që ne propozojmë është që, sy për sy, dhemb për dhemb do luftojmë për zemrën e çdo shqiptari. S'do kemi para, s'do kemi para për të hyrë në politikë, na duhen vëllezërit dhe motrat shqiptare që ta kuptojnë gjendjen. Ky është një burg që ne duhet ta ndryshojmë dhe ta kthejmë në një shtet normal, duke vendosur ligjin e duhur, shtetëzimin e aseteve strategjike, mbrojtjen e prodhuesit shqiptar, ndërtimin e një sistemi partiak të pakorruptueshëm, vendosjen e dënimit me vdekje, rishkrimin e Kushtetutës. T'ua bëjmë të qartë njerëzve se ajo që është luajtur me ne ka qenë një mashtrim. Ky s'është një projekt sot për nesër, ky është një projekt që do të punohet ditë pas dite, orë pas ore, në mënyrë që sot, 5, 10 apo 20 vjet më vonë, ne të arrijmë ndryshimin. 

Ka gjasa të ndryshojë politika amerikane në rajon me ardhjen e Trump?
Grid Rroji: Politika amerikane është konstante dhe nuk do të ketë ndryshime thelbësore. Ai perceptimi i favorizimit nga Presidentët është fëminor. Do të ketë një rikonfigurim në raport me fuqitë e mëdha. Nuk duhet të fokusohemi te ato që janë të parëndësishme në këtë pikë. Ajo që duhet të na shqetësojë është ku jemi ne shqiptarët në këtë mes. Jemi të papërgatitur! Mjafton një tren dhe mban peng qeverinë e Kosovës, derisa merret një vendim nga Presidenti (se siç duket Kryeministri ishte në gjumë atë pasdite) që flet me Ministrin e Brendshëm, i partisë së tij, që të bëhet një reagim. Kjo është një gjendje katastrofale për shqiptarët. Ne kemi pasur ushtri, por s'e kemi më. Kemi pasur tanke, por s'kemi më. Kemi pasuri aviacion, ku i kemi tani? Kemi pasur ushtarë për të bërë tre ushtri, ku janë sot ata? Enden rrugëve. Greqia na nxori ushtrinë, Serbia gjithashtu na nxori ushtrinë dhe të vjen në Tiranë pa asnjë problem. 

Z.Rroji, erdhët në Shqipëri në vitin 2007-ën, për të punuar me Berishën dhe u zhgënjyet...Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Grid Rroji: S'kam as zhgënjim e as mllef. Erdha për t'i shërbyer shteti dhe kombit tim. Nëse kam bërë gabime, mbaj përgjegjësinë time. Në përceptimin e parisë nuk mund të ketë asnjë njeri që ndahet me tjetrin për ide. Idetë nuk ekzistojnë por vetëm tarafet. Jam i kënaqur që përsa kohë munda, shërbeva për shtetin dhe kombin tim. Gjykimet e mia janë thjesht një realitet, edhe nëse nuk do e thoja unë, e mendojnë shumica e shqiptarëve.

Po ju Z.Rama?
Shenasi Rama: Zhgënjimi nuk vjen nga ana personale, por nga ajo që i kanë bërë këtij vendi, e kanë kthyer në fushë droge dhe krimi, kriminelët janë deputetë, ku maskarallëku konsiderohet virtyt. Ne nuk duhet të presim që të huajt të na bëjnë reformën, ne duhet të nisim një bashkëbisedim mbarëkombëtar për të ndryshuar kushtetutën, për të ndërtuar një senat dhe pleqësi për t'i larguar këta nga politika. Sepse krimineli di të bëjë vetëm një gjë, krim, krim, vetëm krim. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës