Shëngjergji pret “Domate Fest”, Kryebashakiaku Veliaj: Konsumi i produkteve vendase ndihmon ekonominë lokale

Një fundjavë ndryshe, jashtë qytetit, por jo larg Tiranës! Shëngjergji priti të shtunën festën tradicionale të domates, “Domate Fest“, një panair me produkte të zonës, ku banorët, por edhe restorantet e bujtinat e zonës, prezantuan pjatat e tyre me ushqime tradicionale mes gjelbërimit dhe muzikës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi disa nga stendat e panairit dhe u shpreh se fshatrat e zonës do të njohin një sërë investimesh të rëndësishme. “Ideja e 100 fshatrave, ku ne insistuam që Shëngjergji të ishte kurora e këtij projekti për Tiranën, është falë këtij investimi të qeverisë shqiptare. Do të na shikoni shumë gjatë këtij viti, ku do të nisim me disa punime nëpër fshatrat e zonës, nëpër shtigjet ku kalojnë turistët, tek ujëvarat, tek kalatë e vjetra, dhe në shumë nga vendet atraktive të të gjithë krahinës”, deklaroi Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte vendase që rriten në Tiranë, në mënyrë që paratë të mbeten në ekonominë e vendit. “Nëse jemi të ndërgjegjshëm për rrënjët tona, atëherë sigurisht duhet të jemi të gatshëm të përgatitemi për frytet tona. Nëse rrënjët i kemi në këtë histori të lavdishme, duhet të sigurohemi që t’i kthejmë lavdinë zonës. Shëngjergji është bahçja e Tiranës dhe si e tillë bën domatet më të mira në vend. Më vjen mirë që shkollën e Vërrisë e kemi transformuar totalisht, jam entuziast e mirënjohës edhe për mësuesit nga Tirana, si ai mësuesi i fizkulturës që vjen çdo ditë nga Tirana, për klasat sportive, sepse për këtë lloj solidariteti kemi nevojë sot. Kur them se duhet të blejmë produkte lokale, në Baldushk gjelin, në Ndroq vajin, në Petrelë mjaltin, në Shëngjergj domaten, është një mënyrë sesi ekonomia e Tiranës mund të jetojë”, theksoi Veliaj, duke shtuar se banorët e zonës duhet të luajnë rolin e ambasadorit për promovimin e produkteve dhe traditës së zonës.

Deputeti i PS, Xhemal Qefalia tha se ky transformim që ka prekur edhe zonat periferike të kryeqytetit nuk është i rastësishëm, por si rezultat i besimit që ata dhanë tre vite më parë për kryebashkiakun Veliaj. Qefalia vlerësoi punën e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe vëmendjen që ai ka treguar për përmirësimin e shërbimeve dhe të infrastrukturës edhe për zonat rurale.

“Ju pata thënë 3 vjet më parë se ne e kërkojmë ndryshimin dhe fuqia e ndryshimit jeni ju. Në fakt, ju e bëtë realitet me votën tuaj duke votuar Partinë Socialiste dhe njeriun e punës, Erion Veliaj. Gjej rastin ta përshëndes Erionin jo vetëm për Shëngjergjin, por për vëmendjen që ka për të gjitha zonat që konsiderohen periferi e Tiranës. Të gjitha këto pasuri ishin këtu para 3 vjetësh, edhe para 5 vitesh kur ai zotëria flinte gjumë dhe gërhiste në divan. Por u desh mendja, puna, këmbëngulja e stafit të Bashkisë së Tiranës dhe e kryetarit të saj”, tha Qefalia.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë ftoi banorët e zonës së Shëngjergjit që të përfitojnë nga skemat e financimit dhe të mbështetjes për zonat rurale. “Ministria e Bujqësisë, me politikat e reja, e ka zgjedhur Shëngjergjin si një nga 100 fshatrat në kurorën perlave më të mira të fshatrave të Shqipërisë. Këtë vit kemi filluar mbështetjen për 50 festa lokale, siç është edhe kjo. Besojmë shumë që zhvillimi i zonave rurale do të vijë nga potencialet që ato ofrojnë vetë”, tha Enea Hoti, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë.

Edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Turizmit, Blerina Ago, vlerësoi potencialet që ka zona e Shëngjergjit, por jo vetëm në fushën e agroturizimit. “I ftoj të gjithë të rinjtë e Shëngjergjit që të vijnë pranë Ministrisë së Bujqësisë pranë Ministrisë së Turizmit dhe të aplikojnë me projektet e tyre për agroturizëm. Duhen disa dokumente dhe projekte të thjeshta që ju të keni mundësi që të hapni një sipërmarrje të re”, nënvizoi Ago.

Përgjatë gjithë ditës, banorë të zonës, por edhe turistë e vizitorë të shumtë, ndoqën një sërë aktivitetesh, mes të tjerash vizita tek rrënojat e shkollës së parë shqipe në Tiranë, vizitë tek Ujëvara e Përroit të Kecit, tek Mulliri i vjetër etj. Shëngjergji është një zonë që ofron disa destinacione, për ata që e duan natyrën dhe ushqimin bio.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ardi: 23/09/2018 14:09

    Po cte konsumojn o njeri ata i mbysin me hormone e pesticide

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Futet nga stoli dhe përmbys ndeshjen, Rocco Vata i jep tri pikë Watfordit në limite

VIDEO/ Futet nga stoli dhe përmbys ndeshjen, Rocco Vata i jep tri pikë Watfordit në limite