ATHINË, 17 shkurt /ATSH-ANA-MPA/ - Rëndësia strategjike që ka Greqia për Bashkimin Europian mund ta bindë Gjermaninë të bëjë lëshime, po aq sa edhe argumentet ekonomike të kryeministrit Aleksis Cipras për një marrëveshje të re ndihme ndaj vendit, vë në dukje agjencia "Bloomberg".
Analiza me titull "Aleancat e pasluftës në Greqi tregojnë se Europa nuk ka për të humbur vetëm para" thotë se vlera e Greqisë si anëtare e NATO-s dhe e porteve të saj në Mesdheun Lindor po rritet, teksa lufta në Siri, dështimi i shtetit të Libisë dhe armëpushimi i brishtë në Ukrainë, u shtohen tensioneve të vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe fqinjëve të tij.
"Me të drejtë do të shtronte ndokush pyetjen nëse Europa, SHBA dhe NATO-ja do të mund të kishin luksin e krijimit të një vakumi sigurie dhe një vrime të zezë në rajonin kritik", i deklaroi agjencisë "Bloomberg" Thanos Dokos, drejtor i Fondacionit Grek të Politikës së Jashtme dhe Evropiane duke shtuar se kjo ka gjasë mos të jetë një "humbje e pranueshme për një BE me ambiciet për të luajtur një rol të rëndësishëm botëror dhe rajonal".
"Përpjekja diplomatike që e bindi Rusinë të ndalojë dhunën në Ukrainë u theksua nga marrëdhëniet shumë miqësore të Ciprasit me presidentin Vladimir Putin", nënvizon "Bloomberg" duke vënë në dukje se këto i dërguan mesazhin kancelares gjermane Angela Merkel se forcat evropiane rrezikojnë më shumë se 195 miliardë eurot e kredive të shpëtimit në konfrontimin e tyre me Greqinë.
"Ky rol mund të jetë armë më e fuqishme e kryeministrit grek në negociatat me pjesën tjetër të eurozonës", deklaroi ish-zëvendësministri i Jashtëm grek, Dhimitris Kurkulas.
"Kjo ka gjasë të jetë karta e fundit negociuese që ka Cipras", deklaroi Kurkulas në intervistën që i dha agjencisë "Bloomberg"./ a.jor.