SHËNIM – Presidenti izraelit bën histori, dënon masakrën kundër një fshati ara


TEL AVIV, 26 tetor /ATSH-DPA/ - Presidenti izraelit u bë shefi i parë i shtetit hebre që merr pjesë në një ceremoni memorial për vrasjen e dhjetëra civilëve arabë nga trupat izraelite në vitin 1956 duke e konsideruar ngjarjen një krim të neveritshëm, por sidoqoftë pa kërkuar ndjesë.
Presidenti Reuven Rivlin tha se kërkimi i ndjesës për masakrën e Kafr Qaqim nuk ishte i nevojshëm, pasi një gjë e tillë ishte bërë nga ish-presidenti Shimon Peres gjatë një vizite në vitin 2007 në këtë fshat.
Me shpërthimin e krizës së Suezit, më 29 tetor 1956, Izraeli priste që Jordania të rreshtohej me palën egjiptiane dhe si masë parandaluese ai urdhëroi shtetrrethimin në fshatrat arabe pranë kufirit me Jordaninë.
Në këto fshatra përfshihej edhe Kafr Qasim.
Megjithatë shumë fshatarë kishin qenë në punë dhe nuk kishin dijeni për shtetrrethimin, ndërkohë që një kolonel izraelit e kuptoi urdhërin e dhënë si vrasje të civilëve, pa paralajmërim, në çdo rast shkeljeje të tij.
Kështu, një togë ushtarësh të Rojes Kufitare u urdhërua të hapte zjarr duke vrarë 19 burra, gjashtë gra, 17 djem të moshës 8-17 vjeç dhe gjashtë vajza të moshës 12-15 vjeçe.
Banorët lokalë thonë se atje u vranë 49 persona përfshirë një fëmijë të palindur të një gruaje shtatzënë.
Stacioni televiziv izraelit, Channel 2, e përshkruan këtë masakër si plagën më të rëndë të hapur në marrëdhëniet izraelito-arabe, ku arabët përbëjnë 20 për qind të vendit.
"Erdha sot si djalë i popullit hebre dhe si president i shtetit të Izraelit përballë jush, familjeve të viktimave dhe të të plagosurve, për të ndjerë dhimbjen e kujtesës së bashku me ju", deklaroi Rivlin.
"Vrasjet e neveritshme në fshatin tuaj, Qafr Kasim, janë një kapitull i jashtëzakonshëm dhe i errët në historinë e marrëdhënieve mes nesh, arabëve dhe izraelitëve që jetojnë këtu", theksoi ai.
"Shteti i Izraelit ka njohur krimin dhe ka kërkuar ndjesë për këtë... Eshtë detyra jonë t'u mësojmë brezave që vijnë këtë kapitull të vështirë", shtoi presidenti izraelit.
"Ne jemi të destinuar të jetojmë së bashku apo të luftojmë përgjithmonë kundër njëri-tjetrit", shtoi ai.
Rivlin, posti i të cilit si president është shumë ceremonial, pasoi Shimon Peresin qershorin e kaluar.
Një nacionalist hebre, ai kundërshton krijimin e një shteti të pavarur palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës./ a.jor.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)