Shërbimet konsullore për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit pritet të hyjnë në një fazë të re dixhitale. Lajmin e konfirmoi këtë të dielë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke njoftuar se shumë shpejt do të krijohet Prania Diplomatike Virtuale, një pikë e vetme digjitale për informacion dhe shërbime konsullore edhe në vendet ku Shqipëria nuk ka përfaqësim diplomatik fizik.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Hoxha e cilësoi shërbimin konsullor si një histori suksesi, që sipas tij lidhet jo vetëm me transformimin teknologjik, por edhe me përmirësimin e mënyrës, cilësisë dhe shpejtësisë së ofrimit të shërbimeve.

Sipas ministrit, gjatë periudhës 2017-2026 janë administruar 1 milionë e 378 mijë shërbime konsullore. Ai bëri të ditur gjithashtu se nga viti 2019 deri në qershor 2026 janë administruar 4 milionë e 300 mijë legalizime, ndërsa që prej vitit 2021 janë regjistruar mbi 203 mijë aplikime për e-Visa.

Hoxha tha se angazhimi i Ministrisë është të thjeshtojë më tej procedurat dhe ta afrojë shërbimin sa më shumë me qytetarin.

"Konkretisht, po punojmë për realizimin e një Asistenti Virtual, i cili, nuk do të ketë orar, përgjigjet në çdo kohë e për çdo pyetje dhe kudo, dhe të orientojë kërkuesit drejt shërbimit. Në çdo shërbim konsullor do të vendoset një QR Code për të vlerësuar shërbimin dhe për çdo ankesë të mundshme. Qytetari të mos jetë jetë vetëm përfitues i shërbimit, por edhe vlerësues i tij. Me një fjalë, duam të dimë si po punojmë dhe si të përmirësojmë", tha Hoxha. 

Ai njoftoi gjithashtu krijimin e Pranisë Diplomatike Virtuale, e cila do të shërbejë si një pikë e vetme digjitale për informacion dhe shërbime konsullore për qytetarët që ndodhen në vende ku Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike.

"Duam të kalojmë nga praktika kur qytetari shkon te shteti, te ajo ku shteti shkon dhe është gjithnjë pranë qytetarit", tha Hoxha.

Ndërkohë, drejtoresha e Çështjeve Konsullore në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Irida Laçi, bëri të ditur se aktualisht ofrohen online 32 shërbime konsullore. Sipas saj, 22 prej tyre nuk kërkojnë detyrimisht praninë fizike të qytetarit dhe, aty ku natyra e shërbimit e lejon, dokumentet mund të dërgohen edhe me postë.