Sipas një analize të cituar nga CBS, Ali Khamenei dyshohet se ishte skeptik për marrjen e pushtetit nga djali i tij, Mojtaba Khamenei, pasi mendonte se ai nuk ishte mjaftueshëm i zgjuar dhe nuk kishte cilësitë e nevojshme për të udhëhequr vendin.
Raporti thekson gjithashtu se, sipas të dhënave të inteligjencës, Ali Khamenei ishte në dijeni se djali i tij përballej edhe me probleme në jetën personale.
56-vjeçari Mojtaba Khamenei u zgjodh fundjavën e kaluar si udhëheqësi i ri suprem i Iranit nga Këshilli i Udhëheqësve Fetarë të vendit, pasi për vite me radhë kishte shërbyer si bashkëpunëtor i ngushtë i të atit. Kujtojmë se Ali Khamenei u vra në një sulm raketor izraelit në fillim të luftës mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit.
Sa i përket informacioneve të inteligjencës për marrëdhënien mes babait dhe djalit, përveç Donald Trump, sipas raportimit, ishin informuar edhe JD Vance si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Sipas të njëjtit publikim, në biseda private Donald Trump u kishte thënë njerëzve të rrethit të tij të ngushtë se nuk besonte që informacionet për Mojtaba Khamenei kishin shumë rëndësi, pasi ai mendonte se Irani në thelb ishte pa një udhëheqës të qartë.
Zëdhënës të CIA-s, Shtëpisë së Bardhë dhe zyrës së zëvendëspresidentit Vance refuzuan të komentojnë mbi këto informacione.
Komente












