Shërbyesja që kapërceu gjykimet racore dhe ndryshoi botën e sportit! Vdekja në harrim dhe varfëri

Shërbyesja që kapërceu gjykimet racore dhe ndryshoi botën e sportit! Vdekja në harrim dhe varfëri

Ora Uashington

Në mars të vitit 1976, në Nju Jork, Salla e Famës së Atletëve me ngjyrë e sapothemeluar po mbante ceremoninë e saj vjetore. Në skenën ku normalisht duhej të ishte ulur Ora Uashington kishte një karrige bosh. Për tre dekada atletja afro-amerikane kishte luajtur si në tenis ashtu edhe në basketboll, duke qenë më e mira në fushën e saj. Paragjykimet e kohës për ngjyrën e lëkurës dhe preferencat e saj seksuale e lanë gjithmonë anash njohjes. As organizatorët e ngjarjes nuk kishin mundur t'i gjenin vendndodhjen, ndërsa “New York Times”, të nesërmen, kishte shkruar: “Trofeu i argjendtë, unaza e artë dhe medaljet që do të merrte, u kthyen në zyrat e 'Sallës së Famës' në Nju Jork. Vendndodhja e Ora Uashingtonit mbetej një mister". Ajo që askush nuk dukej se dinte ishte se Uashingtoni kishte vdekur pesë vjet më parë.

Ora Uashington ishte një nga atletet me ngjyrë më të pazakonta të shekullit të 20-të. Afro-amerikania, tri herë fituese e Grand Slam-it në tenis, do përshkruhej si "gruaja e parë me ngjyrë që dominonte një sport". Gjatë gjithë jetës së saj ajo hasi pengesa dhe gjithçka që mbeti në fund është se racizmi i privoi asaj mundësinë e pasurisë dhe njohjen që meritonte.

Uashingtoni lindi në janar 1899 në një komunitet të vogël bujqësor të quajtur Caroline County, Virxhinia. Familja e saj drejtonte një fermë të vogël dhe ajo ishte e pesta nga nëntë fëmijët. Si banorë të Virxhinias dhe sipas ligjit aktual, Uashingtonët do të mbeteshin qytetarë të klasit të dytë në çdo fazë të jetës së tyre.

Në të njëjtën kohë në SHBA po fillonte një lëvizje masive e imigrimit të zezakëve në Veri, të cilën historianët e quajtën "Migracioni i Madh". Edhe Ora Uashington la fermën familjare në Jug dhe kërkoi një jetë të re në Filadelfia, ku kishte të afërm. Edhe pse si shumica e vajzave nga Jugu, ajo mori një punë si shtëpiake në një shtëpi të pasur, bota e re që u përball me të i dha Orës mundësi që nuk do t'i kishte pasur kurrë në Virxhinia, si për shembull sportet. Tenisi ishte ai që fillimisht zgjoi interesin e saj, kështu që ajo u regjistrua në degën e Shoqatës së Krishterë të Grave të Reja në Germantown (YWCA) që u formua.

Sipas raporteve të kohës dhe kryesisht nga gazetat e komunitetit afrikano-amerikan, si Philadelphia Tribune, më e vjetra në SHBA (e themeluar në 1884), Uashingtoni filloi së pari të garonte në ndeshjet kombëtare të femrave me ngjyrë në vitin 1923. Suksesi nisi në vitin 1925, i cili shënoi fillimin e karrierës së saj në këtë sport, duke kulmuar në shtatë vitet nga 1929 deri në 1935, kur fitoi po aq herë trofeun e femrave ATA. Sigurisht, në Amerikën e paraluftës, suksesi i Uashingtonit mbeti i...izoluar, pasi ajo nuk mundi të merrte pjesë në kampionatin kombëtar me sportistet e bardha. Pra, pavarësisht sukseseve, ajo vazhdoi të punonte si amvise apo shërbëtore.

Ajo që është befasuese është se në të njëjtën kohë që ajo dilte në fushën e tenisit, emri i saj filloi të shfaqej në listat e basketbollit për femra, duke ndërtuar karrierën e saj si lojtarja më e mirë me ngjyrë në SHBA. Një nga skuadrat e para të basketbollit për të cilët luajti Uashingtoni ishte Germantown YWCA Hornets, një ekip i ashtuquajtur "Black Fives" ose "Black Quint", sepse këto ekipe ishin vetëm për vajzat me ngjyrë.

Nëpërmjet basketbollit dhe sukseseve të ekipit, "Philadelphia Tribune" pa një mundësi për të promovuar të drejtat e zezakëve për pranim dhe barazi dhe kështu mori përsipër sponsorizimin e klubit. Gjithashtu në krye të gazetës ishte aktivisti Joe Rainey, nipi i Joseph Rainey, personi i parë me ngjyrë që shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara. "Sporti shihej si një vend vërtet i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtat civile, veçanërisht sepse sportet ishin një shfaqje e meritokracisë, të paktën në teori," thotë Dr. Amira Rose Davis, asistent profesor i historisë dhe studimeve afro-amerikane në Penn State University.

Në vitin 1932, Uashingtoni u bë kapitene e ekipit dhe në fund të ecurisë së tyre festuan njëmbëdhjetë kampionate radhazi.

Ndërsa luante për Tribunes, Uashingtoni filloi të merrte një rrogë të vogël për herë të parë në jetën e saj, por ajo kurrë nuk u pagua aq sa të hiqte dorë nga puna e përditshme. Në fund të viteve 1930, ajo vendosi se ishte koha për t'u larguar nga sallat e lojës, por as kjo nuk ndodhi në heshtje, si asgjë tjetër në jetën e saj. Pasi fitoi përsëri titullin e tenisit ATA në 1937, ajo njoftoi tërheqjen e saj. Shumë e akuzuan se e bëri këtë për të shmangur një përplasje me të renë Flora Lomax, e cila tashmë ishte shfaqur në sport duke vjedhur përshtypjet e fansave. Zbulimi ishte aq i madh sa në vitin 1939, Uashingtoni u kthye nga pasiviteti në sport për t'u përballur dhe përfundimisht për të mposhtur Lomax në një turne në Buffalo, përpara se të tërhiqej përgjithmonë nga garat teke. Ajo vazhdoi të performojë në ndeshjet dyshe deri në vitin 1948, pra deri në moshën 49-vjeçare. Herën e fundit që ajo festoi një titull në dyshe ka qenë në kampionatin ATA në vitin 1947. Në anën e kundërt të rrjetës ishte 19-vjeçarja Althea Gibson, e cila në vitin 1950 u bë sportistja e parë me ngjyrë që u pranua në kampionatin kombëtar, ndërsa në vitin 1956 ajo fitoi të parën nga tre Grand Slamet (Roland Garros, Wimbledon dhe US Open), duke ecur natyrshëm në rrugën që ishte hapur, ndoshta pa e ditur, nga Uashingtoni.

Ora Uashington me dhjetra trofetë e saj

Sa për ndeshjen e saj të fundit të basketbollit, ajo e luajti atë në 1942.

Në vitin 1950, sipas regjistrimit të popullsisë amerikane, Uashingtoni jetonte në Filadelfia me vëllain e saj Larry dhe ende punonte si punëtore shtëpiake.
Në vitin 1969, dy vjet para vdekjes së saj në moshën 72-vjeçare, ajo vendosi të intervistohej nga Len Lear për Philadelphia Tribune. Ata u takuan aty ku filloi gjithçka për të: në Germantown YWCA. "Sapo e takova dhe i bëra shumë pyetje, u mahnita plotësisht," komentoi Lear dhe vazhdoi, "Është e vështirë të imagjinohet sot kur sheh njerëz që bëjnë miliona të panumërta dhe kanë emrin e tyre në parfume dhe të gjitha llojet e tjera të produkteve. Ajo nuk kishte asgjë. Asgjë. Ajo ishte e moshuar dhe jo në gjendje të mirë shëndetësore dhe sigurisht nuk mund ta dinte se ishte ndoshta sportistja më e mirë në vend në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ndërsa në të njëjtën kohë punonte si ndihmëse shtëpiake”.

Një nga njerëzit me të cilët kishte kontaktuar në vitet e fundit të jetës së saj ishte nipi i saj i madh, Gregory Price. “E dini, ajo dukej e madhe, më e madhe se jeta. Ajo ishte e gjatë dhe e hollë, kishte një zë bariton dhe sy të bukur. Dhe kur ajo të shikonte, mund të shihje sinqeritet në sytë e saj kur fliste. Tezja ime ishte homoseksuale, ne nuk kishim asnjë problem me seksualitetin e saj, por ajo ishte e izoluar për shkak të saj, kështu që imagjinoj ata që dinin për seksualitetin e saj, i shtypnin arritjet e saj, edhe kur ajo ishte në më të mirën e saj. Ajo u mohua nga komuniteti i zi, aq më tepër nga komuniteti i bardhë. Edhe pse të gjithë e adhuronin si lojtare, ata refuzuan ta njihnin si person. Ata e adhuronin atë si lojtare, por jashtë fushës ata refuzuan ta pranonin për shkak të seksualitetit të saj. Nëse ajo do të ishte gjallë sot për të parë ndryshimet që kanë ndodhur, me siguri do të ishte krenare”.

Ora Uashington ndërroi jetë në vitin 1971 pas një sëmundjeje të gjatë dhe është varrosur në qytetin e saj të lindjes, Virxhinia. Në vitin 2009, ajo u zgjodh në Sallën e Famave të Basketbollit të Grave, dhe më 31 mars 2018, ajo u fut gjithashtu në Sallën e Famës të Basketbollit.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër