TIRANE- Me dëshirën që shoqëria shqiptare të orientohet nga e drejta, politikani Elmaz Sherifi, përçoi qartë filozofinë e partisë “Lidhja për Drejtësi e Progres”, duke e cilësuar një mendësi e cila mungon në politikën shqiptare. “Shqipëria ende nuk i ka provuar shijet e një shteti që të funksionojë në një mënyrë të pavaruar, institucionet e së drejtës. Kemi një qeveri të re, por duhet të kemi një qeverisje të re”. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Elmaz Sherifi, i ftuar në emisionin “Tete a tete” në “A1 Report”, citoi se ne kemi nevojë për një mendësi të re politike dhe ky ishte qëllimi i krijimit të partisë “Lidhja për Drejtësi e Progres”.

“Qeverisja politike partiake ka dështuar. Ne duhet të krijojmë institucione politike të forta. Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, jo për individë të fortë”, u shpreh më tej ai. Duke u ndalur edhe në zgjedhjet në vend, kreu i LPD-së nënvizoi se nga kjo kurajo e kësaj force, u arrit që të shpërblehej programi politik.

“Në Shqipëri, elektorati kërkonte rotacion politik. Unë mendoj se ky rotacion që duhet përshëndetur, nga kultura e dorëzimit të pushtetit është një standart politik. Unë e quaj një arritje, por jo për standartin e zgjedhjeve politike”, deklaroi Sherifi. Sipas tij, “Shqipëria ka një kulturë demokratike të orientuar më herët nga perëndimi”.

I pyetur se cili është dimension i “Lidhjes për Drejtësi dhe Progres”, Elmaz Sherifi deklaroi: “Ne këtë shoqëri duhet ta orientojmë nga e drejta dhe standarti që e jep këtë garanci është pushteti gjyqësor”. Për të, përpjekja ka qënë dhe mbetet e drejta, e cila duhet të sundojë fort.

Redaksia Online
(m.s/e.s/shqiptarja.com)