Dy të mitur u plagosën me thika pas një sherri mes disa bashkëmoshatarësh pranë një parkingu në Kamzë, pranë shkollës “Ibrahim Rugova”. Konflikti dyshohet se nisi një ditë më parë për motivet “pse më sheh”. Njëri prej të miturve ka plagë të thella në kraharor. Policia shoqëroi disa persona, mes të cilëve edhe autorin e dyshuar.

***

Një konflikt mes një grupi adoleshentësh të shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamzë, gati sa nuk përfundoi në tragjedi paraditen e së enjtes.

Nga sherri mes 5 apo 6 nxënësve pranë një parkingu përballë shkollës, mbetën të plagosur me thika dy 16-vjeçarë, të cilët u transportuan për mjekim te Spitali i Traumës.

Burime pranë bluzave të bardha i thanë Report Tv se njëri prej adoleshentëve ka dy plagë në kraharor, njëra prej të cilave i preku mushkërinë. I mituri tjetër ka plagë po në të njëjtin vend, por sipërfaqësore dhe pa probleme për jetën. I dëmtuar lehtë si pasojë e sherrit mbeti edhe një i tretë.

Policia e Kamzës mësohet se identifikoi dhe shoqëroi në komisariat personat e përfshirë në konflikt, mes të cilëve edhe autorin e dyshuar të ngjarjes.

Në njoftimin zyrtar të policisë nuk saktësohet nëse janë gjetur armët e ftohta të përdorura në konflikt, megjithatë hetuesit po kërkojnë për pamje të kamerave të sigurisë për të sqaruar të plotë dinamikët e ngjarjes.

Motivi dyshohet të jetë banal, ndërsa burime pranë bluve i thanë Report Tv se sherri me pretendimet “pse më sheh”, kishte nisur një ditë më parë.

Në përpjekje për zbardhjen e ngjarjes, hetuesit po marrin në pyetje të miturit e shoqëruar, ndërsa sipas burimeve, ata janë treguar të rezervuar dhe jobashkëpunues në deklarime.

Rastet e dhunës që degjeneron deri në përdorimin e armëve të ftohta janë shtuar vitet e fundit. Më 14 gusht, një 14-vjeçar u vra nga bashkëmoshatari i tij në Pirg të Maliqit.

Ndërsa një vit më parë mbeti i vrarë pas një sherri me thikë Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” në Tiranë.