Dy efektivë të policisë së komisariatit në Kamëz, u pezulluan nga detyra, pasi dyshohet se nuk bënë veprimet ligjore për një sherr në një lokal ditën e hënë, ku ishte i përfshirë edhe një koleg i tyre, i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Efektivi i FNSH-së, ndodhej jashtë shërbimit, duke pirë kafe në një lokal në Kamëz me dy miq. Disa persona të tjerë të cilët hynë në lokal, u konfliktuan fizikisht me një prej miqve të policit në tavolinë, çka solli ndërhyrjen e tij për t’i ndatë. E njoftuar nga dëshmitarë okularë, policia shkoi në vendngjarje, por e referoi situatën si një konflikt banal.

Dy oficerët e policisë u pezulluan mbi dyshimet se nuk kanë vepruar për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në konflikt.  Tashmë po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në hetime është përfshirë edhe AMP-ja.

Ngjarja ndodhi në lokalin “Perla e Detit” në Kamëz, ku më 15 nëntor të 2025-ës, ka pasur një shpërthim me tritol, autorët e së cilës ende nuk janë zbuluar.