TIRANE- Selia blu nuk po kalon çaste aspak të favorshme dhe të qeta në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 21 Qershorit. Tensionet brenda Partisë Demokratike e kanë zanafillën e tyre që nga caktimit që bëri kryesia e PD-së për koordinatorët e fushatës elektorale deri tek përzgjedhja e kandidaturave për 61 bashkitë e vendit. Situatën aspak të qetë në radhët e demokratëve e pasqyron më së miri ish-deputeti demokrat, Lefter Maliqi.

Ky i fundit është përplasur gjatë një mbledhje që është zhvilluar ditën e djeshme në selinë blu me koordinatorin e fushatës elektorale për bashkinë Berat, Fatbardh Kadillin. Shkaku i takimit të tensionuar mes dy ish-deputetëve demokrat, sipas Lefter Maliqit është fakti se ka qenë pikërisht Fatbardh Kadilli ai që ka rrëzuar emrin e tij për të kandiduar për bashkinë e Beratit në 21 Qershor. Bashki e cila tashmë i është lënë aleatëve republikan në opozitë, të cilët garojnë për Beratin me Kasëm Mahmutajn.