Sherr në PD-në e Pukës: Kryetari i
degës Gjoni i lidhur me...pushtetin!

Sherr në PD-në e Pukës: Kryetari i<br />degës Gjoni i lidhur me...pushtetin!
PUKË- Pas Gjirokastrës dhe Kavajës, analiza e humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, është pritur me debate dhe akuza brenda radhëve të drejtuesve demokratë, edhe në Pukë. Dega lokale e PD thërriti dje mbledhjen e kryesisë me synim analizimin e rezultatit të zgjedhjeve, ku për herë të parë në 25 vite, PD ka humbur të dy bashkitë e rrethit të Pukës, Bashkinë e re me të njëjtin emër dhe atë të Fushë Arrëzit.

I pranishëm në këtë analizë kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka i cili drejton analizën, u tha demokratëve të Pukës se mbledhja nuk kishte për qëllim prerjen e kokave, por forcimin e PD. “Partia Demokratike nuk do të bëjë “koka turku”, por do të analizojë situatën dhe do të korrigjojë problemet në mënyrë që të mos përsëriten në zgjedhjet e ardhshme, të cilat nuk dihet nëse do të jenë pas dy vitesh, apo pas dy muajsh”, u shpreh Paloka, duke nënkuptuar se Shqipëria mund të jetë edhe në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por në mbledhjen me dyer të mbyllura,  krahas faturimit të humbjes si pasojë e shitblerjes së votave dhe presionit shtetërore mbi votuesit në Pukë e Fushë Arrëz, debatet e kanë çuar dhe më tej përgjegjësin për humbjen si kurrë më parë të kësaj force politike në Pukë.

Mungesa e koordinimit të fushatës elektorale duket se ka hapur debate në analizën e PD së Pukës, ndërsa jo pak ishin zërat që me përgjegjësi ngarkuan dhe kreun e degës i cili sipas tyre hartoi listat e kandidatëve për këshillin pa konsensus dhe për interesa të caktuara, çfarë ndikoi dhe tek krijimi i pakënaqësive në mesin e demokratëve.

Disa nga të pranishmit në këtë analizë bëhet e ditur të jenë shprehur se humbjes së 21 qershorit i kishin prirë që në zgjedhjen e kryetarit duke e lënë kështu përgjegjësinë për humbjen, tek kreu i degës së PD, Prel Gjoni. Humbja e 21 qershorit në zonën e Pukës për Partinë Demokratike nuk kishte ndodhur kurrë më parë, pasi pësoi disfatë në të dyja bashkitë nga fitorja me 90% në zgjedhjet e katër viteve më parë.

Prandaj, anëtarë të kryesisë së PD jo vetëm kanë hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit, por edhe kanë akuzuar drejtuesit si dhe kryetarin e degës për lidhje të ngushta me pushtetin aktual. “Përsa kohë drejtuesit e degës, bashkë me kryetarin kanë vendosur të heshtin dhe të mos marrin asnjë përgjegjësi ndaj asaj që prodhoi vota e 21 qershorit, padyshim që mund të mendohet edhe për bashkëpunim apo lidhje interesash me përfaqësues të pushtetit aktual”, janë shprehur anëtarët e kryesisë së degës së PD në Pukë.

Në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, koalicioni i Partisë Demokratike shënoi humbje në të dy bashkitë e rrethit, në Bashkinë e Pukës dhe atë të Fushë Arrëzit.    
 
Redaksia online
(s.m/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Antikorrupsioni/ Gjykata Kushtetuese refuzon Komisionin ‘Xhafaj’, kryetarja Zaçaj: S'mund të marrim pjesë në aktivitete ligjbërjeje!

Antikorrupsioni/ Gjykata Kushtetuese refuzon Komisionin ‘Xhafaj’, kryetarja Zaçaj: S'mund të marrim pjesë në aktivitete ligjbërjeje!