Ndërsa regjisori Artan Minarolli në postin e drejtorit të Qendrës Kombëtare Kinematografike, sqaroi për "Shqiptarja.com" se konflikti qëndron kështu: "ky person ka paraqitur një film të shkurtër dhe nuk fitoi, nuk plotësonte kriteret. Tërbimi për këtë e ka shtyrë në sjellje anormale. Është person që njihet për veprime te tilla, sepse është një njeri që nuk ka ditur të menaxhojë as problemet personale. Ka shumë kohë që bërtet e grindet me tone të larta me të gjithë punonjësit e qendrës. Thjesht filmi i tij nuk ka fituar", sqaroi Minarolli, duke theksuar se do ta çojë këtë çështje në gjykatë, për shpifjet që sipas tij Harxhi ka adresuar për të si drejtor të QKK-së, duke iu referuar edhe intervistave që harxhi ka dhënë.
Në gazetën "Shqiptarja.com" botohen të plota intervistat e dy regjisorëve si dhe reagime të tjera që e zbardhin këtë ngjarje të paprecedentë mes artistëve. Pse dy artistë kanë mbërritur derisa të urrejnë njeri-tjetrin? Drejtori i Qendrës Kombëtare e të Kinematografisë Artan Minarolli dhe regjisori Ilir Harxhi dikur kanë qenë miq dhe kanë pasur marrëveshje të përbashkëta për projektet kinematografike. Sot i kanë shpallur luftë cinike njëri-tjetrit dhe po trokasin dyerve të gjykatave duke ngritur padi, e sërish padi, ku Harxhi e akuzon se është rrahur nga drejtori i QKK-së dhe Minarolli i ngre padi për shpifjet në media pas padisë së ngritur një ditë më parë. Marrëdhëniet e tyre vijojnë me fyerje e sharje në drejtim të karakterit dhe sjelljes individuale, por nënteksti i gjithë këtyre akuzave të lë të kuptosh se gjithçka ka ndodhur nga pritshmëria për të fituar projektin e një filmi, ose nga paqartësia e kritereve të konkursit që po bëhej. Mësojmë se juria përfaqësohet nga kryetari, Teodor Laço, nënkryetari Esad Mysliu dhe tre anëtarët: Durim Neziri,Bujar Lako, Agron Tufa. Prononcimi i të dyve mbart mëri e sjellje hakmarrëse. Ndërkohë që Harxhi pohon se anëtarët e jurisë kanë sjellje korrekte, mllefi i tij bie drejtpërdrejtë mbi Drejtorin e QNK-së, Artan Minarolli.
ILIR HARXHI: EDHE ANAGNOSTI ESHTE I DIPLIMUAR SI OPERATOR
Zoti Harxhi, çfarë ka ndodhur në të vërtetë mes jush?
-Unë do të them shkurt sesi ndodhi ngjarja. Për këtë kam hapur një çështje penale. Thjesht shkoj në qendrën kombëtare të kinemasë të premten, gjeta punëtorët që bënin punime gipsi. Të hënën në dhjetë e çerek hyra në holla dëgjova zërin e Kryetarit të Qendrës Filmike Artan Minarollit. Kam qëndruar në pjesën e errët të korridorit se nuk kisha dëshirë ta takoja, për shkaqe që do t'i them më vonë. Unë edhe më herët kam marrë nga QKK-ja financim si regjisor me filmin "Shkallët" dhe nuk kam pse të hyj në këtë pikë. Unë kam studiuar për regji filmi tek "Marubi" dhe kjo nuk më bën që unë të mos di të ushtroj regjinë e filmit. Duke insistuar për të takuar kryetarin e QKK, sepse edhe unë jam institucion, pasi kam shtëpinë filmike "Idea", kërkoj një takim me kryetarin e QKK-së dhe disa herë më ka sorollatur, madje dhe duke u shprehur në mënyrë ironike.
Mund të m'i thoni shkaqet pse i mbanit mëri Minarollit, thatë më sipër se nuk kishit dëshirë t'i flisnit?
-Jam zhgënjyer prej tij. Kam pësuar mashtrim. Ai i shmangej takimit dhe bashkëpunimit edhe pse unë e kam ndihmuar për shumë gjëra më parë. I thosha më cakto takime, more zotëri, unë të paguaj taksa, unë marr licencën nga ty. Nuk më priste, gjithmonë justifikohej se ishte në një punë të rëndësishme. Desha ta pyesja për kriterin e diplomës, ndërsa ai më thotë, "e mo mirë paraqitu në konkurrim, paraqit dhe atë diplomën që ke të regjisë së filmit dhe mos mendo se e kisha për ty këtë kriter".
I thashë se në projekt unë kam lënë regjisor tjetër dhe jam producent tashmë. "Mirë më tha, vëri ato dy vite diplomë që ke dhe gjërat që kërkohen dhe paraqite filmin. Shëno ato çmime që ke fituar me filmin "Shkallët". Ky ishte mashtrim, nuk ishte rregulli që mund të më përjashtonte.
Si ishte rregulli?
Nuk mund të bësh regji nga QKK-ja pa diplomë për regji. Për mua kjo është pa lidhje, sepse ndër regjizorët e njohur vetëm Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo janë diplomuar për regji. Dhe artisti i popullit Anagnosti dhe të tjerët kanë diplomë për operatorë. Kështu janë bërë regjisorët nga pasioni. Saimir Kumbaro është diplomuar për dramë, ndjesë pastë Muharrem Fejzo është diplomuar për pikturë. Pra, mësova se ky ligj qenka vetëm për mua.
Po ju vetë për çfarë jeni diplomuar?
Për inxhinieri elektronike.
Si hytë në rrugën e regjizurës?
Pasioni... Mamaja ime ka qenë punonjëse e devotshme e Kinostudios, ekonomiste. Unë u rrita me respektin që kishin artistët e kineastët për nënën time dhe këtu gjeta një rrugë të shpreh pasionin për filmin. Unë jam krenar, kur unë u futa në këtë fushë dhe kam shtatë vjet, që kur u themelua akademia "Marubi".
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me regjisorin Minarolli në vite?
Fillimisht miqësore, e kam ndihmuar shumë, sepse unë kam edhe biznes dhe kam kontribuar duke i lënë hapësira të zhvillohej filmi "Gjallë". Unë kur kam çuar projekte në QKK kam qenë me kohëproduksion, me vlerë 40 për qind dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse mezi gjenden financimet, por në QKK ai vë rregullore sipas qejfit dhe e përsëris i ndryshon rregullat si të dojë ai.
Keni biseduar hapur më parë me Minarollin për këto që thoni?
Desha ta takoja dhe iu shmang bisedës me mua. Më tha: "E për çfarë e ke fjalën, për atë kriterin e diplomës së konkursit. Unë i thashë që nuk doja ta rrezikoja këtë projekt, sepse janë mbledhur energji për këtë dhe ai më premtoi se ky kriter nuk do të ishte problem për mua, por unë marr vesh që dy ditë para se të mblidhej bordi projekti im nuk figuronte ku unë isha si regjisor. Unë shkoj të interesohem tek QKK. E prita me durim kryetarin Minarolli dhe ai nuk erdhi. Bisedova me juristen dhe drejtorin e projekteve për të vënë emrin e regjisë në film, sepse Minarolli me kishte siguruar që kriteri për diplomë regjie nuk kishte lidhje me mua. Jam dyfish i mashtruar. Ajo pikë e rregullores është diçka absurde. Me mua kryetari Artan Minarolli u tregua mashtrues. Unë i thashe për këtë që bëre mbaje turpin gjithë jetën, ai më dha një goditje të fortë.
ARTAN MINAROLLI: S'KA DIPLOME
Cilat kanë qenë konkretisht shpifjet që ka publikuar Harxhi ne media pas të ashtuquajturit incident. Ishte i tillë?
Asgjë nuk është e vërtetë. Gjithçka është shpifje për interes mediatik, për të më denigruar. Kjo erdhi mbas përgjigjes negative që ai mori nga Këshilli Miratues i Projekteve, mbas konkursit për filmin e shkurtër artistik.
Si dhe mbi ç'pikqnisje e bëri denoncimin. Kishte dëshmitar ky incident? Si do të vijojë çështja gjyqësore?
Kishte deshmitarë, por ata skanë parë asnjë lloj dhune. Kështu kanë deklaruar ata edhe në polici. Pra denoncimi është fals. Gjitçka është menduar më parë, për të krijuar një incident të rremë për të marrë rëndësi mediatike.
U shprehët në telefonatën e gazetës se Harxhi nuk ka diplomë për regji, si ka hyrë në projektet e filmit, pasi ai njihet si fitues i filmit "Shkallët"?
Atëherë kishte të tjera rregulla. Me rregulloren e re nuk mund të aplikosh si regjisor pa formim përkates. Projekti i tij, ku ai ishte si regjisor u skualifikua që në fillim. Ndërsa për rastin në fjalë kishte një projekt si producent.
Meqë ra fjala, dega e regjisë që është hapur ne 2004-n a ka profilizuar domosdshmërisht profesionistë të mirë?
Po besoj e se po. Rregullorja e re mendoj se i pret rrugën amatorizmit dhe denigrimit të prodhimit kinematografik. Është njësoj sikur të kërkohet të punësohesh si mjek, arkitekt apo ing. ndrtimi pa dipllomën përkatës.
Ç'kritere kishte konkursi, të cilat mund ta skualifikonin ose jo Harxhin?
Konkursi u bë me votim të fshehtë dhe projekti i tij nuk fitoi.Këshilli miratues i projekteve është një organ i pavarur dhe zgjidhet nga shoqatat e kineastëve. Unë nuk bëj pjesë në këtë këshill dhe nuk ndërhyj në punën e tij.
Kush i vendos kriteret juria apo ndonje instutucion me i lartë?
Regullorja e brendshme e e QKK-së, sipas ligjit, mund të ndryshohet nga unë. Këtu përfshihen edhe të gjitha rregullat e pranimit të projektve, klasifikimit dhe votimit.
Ç'probleme të tjera keni hasur si drejtues me producentet e filmit, nga ç'drejtime vinë produksionet?
Prodhimi i filmit has shume veshtiresi qe ne i njohim dhe mundohemi ti ndihmojme dhe jo ti pengojme. Midis disa produksioneve kja edhe anga ato qe ne i klasifikojme si produksione jo profesionale dhe mashtruese.
Cili ka qenë mendimi i jurisë për produksionin apo regjinë e Harxhit?
Nuk kam dëgjuar ndonjë konsideratë të vlefshme nga të tjerët. Kur ka punuar skenarin tim "Shkallët" kam krijuar bindjen se nuk ka lidhje fare me këtë profesion.
(sg/shqiptarja.com)