Policia e Vlorës ka nisur hetimet për 9 të rinj, mes tyre edhe dy të mitur. Një ditë më parë ata u përfshinë në një konflikt duke përdorur thika dhe sende forta në lagjen “Lef Sallata”.

Sipas njoftimit zyrtar blutë bëjnë me dije se 4 nga të rinjtë që mbetën të lënduar, fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit: S. L., 24 vjeç dhe S. L., 18 vjeç (vëllezër), M. V., 18 vjeç, E. K., 18 vjeç, K. S., 18 vjeç, si dhe për 4 shtetas të mitur (tre prej tyre 17 vjeç, tjetri 16 vjeç), të gjithë banues në Vlorë, pasi dyshohet se pasditen e djeshme, në lagjen “Lef Sallata”, janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta, me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

Si pasojë janë dëmtuar lehtë 4 nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët morën ndihmën e nevojshme mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi sot policia.   

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.