Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ia faturoi sot përgjegjësinë për konfliktin pronësor në Vlorë ku u përfshinë biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bednaj, qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjete sociale Tabaku deklaroi se vërteta sipas saj është që institucionet shtetërore kanë dhënë dy leje të ndryshme, për dy persona, mbi të njëjtën pronë.
"Tre ditë pas konfliktit në Vlorë, ka vetëm një gjë të qartë: përgjegjësi është shteti, qeveria dhe kryeministri, i cili ka dhënë dy leje të ndryshme — një për investim strategjik dhe një për zhvillimin e pronës — mbi të njëjtën tokë dhe për dy persona të ndryshëm. Si është e mundur që të zhvillohet një proces i plotë për dhënien e lejeve të ndërtimit për dy persona të ndryshëm, mbi të njëjtën pronë? Nuk ka, pra, asnjë ullishte që mund t’ia lajë duart qeverisë nga korrupsioni i kryer në këtë rast, nga hipoteka deri më lart, në Kryeministri. E gjithë kjo ndodh ndërkohë që shqiptarët presin me vite dhe paguajnë miliona lekë në taksa dhe ryshfete për të regjistruar pronën e tyre. Imagjinoni sa më e vështirë bëhet situata kur prona është blerë apo kaluar përmes një transaksioni tjetër.
Ajo që ka ndodhur në Vlorë është një shembull shumë i qartë i kaosit me pronën. Ndërkohë, dëgjojmë retorikë dhe propagandë, pa u kryer një hetim administrativ, pa u identifikuar përgjegjësit dhe pa u nxjerrë ata përpara përgjegjësisë. Tani na thuhet se do të shpronësohen pronarët dhe prona do të kthehet në ullishte. Por kë do të shpronësojnë? Apo do t’i shpronësojnë të dy, ashtu siç u dhanë të dyve leje ndërtimi për të njëjtën tokë? Nuk mund të kemi një shtet ligjor pa respektuar pronën" u shpreh Tabaku.
Kujtojmë se konflikti shpërtheu pak ditë më parë në resortin "Regina Palm" në Radhimë, ku u përplasën biznesmenët Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.
Në qendër të mosmarrëveshjes mes tyre është një sipërfaqe toke në Palasë. Muça pretendon se është pronar i saj dhe se kishte marrë statusin e investitorit strategjik dhe lejet përkatëse, por më pas konstatoi se mbi një pjesë të së njëjtës pronë ishte miratuar një tjetër projekt. Nga ana tjetër, Bedinaj ka akuzuar Muçën për gjobëvënie, pretendim që ky i fundit e ka mohuar, duke këmbëngulur se takimi mes tyre kishte si qëllim sqarimin e konfliktit për pronën.
Konflikti ngjalli reagime të shumta, ndër të cilat dhe ai i kryeministrit Rama, ndërsa Policia dhe Prokuroria thanë se po bënin një hetim të thelluar lidhur me ngjarjen. Sipas Ramës, toka për të cilën ndodhi konflikti do të shpronësohet dhe do të kthehet në ullishte, me qëllim për t'i dhënë 'një mësim' biznesmenëve që konfliktohen në mes të sezonit turistik.










Komente
Komento