TIRANE - Byroja e Kuvendit e mbledhur sot nën drejtimin e Kreut Ilir Meta, ka vendosur për masën e vërejtjes për 4 deputetët e përfshirë në konfliktin e djeshëm në Komisionin e Ligjeve ku dyshohet se u rrah me rrip pantallonash deputetit i PD Gent Strazimiri.

Mbledhja e cila zgjati rreth 40 minuta ka vendosur vetëm për vërejtje për deputetët Xhemal Qefalia, Armando Prenga, Gentian Bejko të PS dhe Gent Strazimirin e PD, të përfshirë në konflikt. Ndërkaq opozita është larguar nga mbledhja e Byrosë së Kuvendit duke protestuar për masën e marrë ndaj deputetëve të PS.

Po sot opozita ka vendosur për bojkotimin e të gjitha komisioneve si shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar ndaj deputetit Strazimiri. Po ashtu lidhur me këtë incident Grupi Parlamentar i PD ka dorëzuar në Prokurori një kallëzim penal ndaj deputetëve të PS, Xhemal Qefalia, Gentian Bejko dhe Armando Prenga.

Deputeti i PD, Strazimiri si dhe deputët e PS Qefalia, Bejko dhe Prenga u përfshinë dje në një konflikt fizik në kryesinë e Kuvendit, madje ky i fundit dyshohet se ka goditur edhe me rrip pantallonash deputetin Strazimiri. Konflikti nisi që në Komisionin e Ligjeve mes Strazimirit dhe Qefalisë për tu përshkallëzuar më pas në ambientet e korridorit të Kuvendit me përfshirjen edhe të deputetëve të mazhorancës Bejko e Prenga.

Ndërkaq lidhur me konfliktin vetë protagonistët kanë dhënë dëshmi të ndryshme. Gent Strazimiri u shpreh pas konfliktit se është provokuar, ndërsa deputeti i PS Qefalia tha se nuk ka dhe nuk ka pasur ndonjëherë konflikt me kolegun e opozitës. Nga ana tjetër Armando Prenga tha se çështjen do ta çojë në gjykatë pasi sipas tij akuzat janë politike. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)