Sherri në PD/ Kryetarët e degëve: 
Ish-ministrat të analizojnë vetveten

Sherri në PD/ Kryetarët e degëve: <br />Ish-ministrat të analizojnë vetveten
TIRANE- Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Osman Stafa u kërkon ish ministrave të qeverisë “Berisha” që të mos polemizojnë dhe ngarkojnë me përgjegjësi për humbjen e 21 qershorit, kryetarët e degëve lokale.

Duke komentuar debatin e para 4 ditëve në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku ish ministrat i kërkuan kryetari Basha shkarkimin e disa kryetarëve të degëve, gjatë një prononcimi për “Shqiptarja.com”, Stafa shprehet se nuk ka “përplasje brezash” në PD, por shton se, përpara se të sulmojnë degët lokale, ish ministrat duhet të analizojnë vetveten, për atë se çfarë kanë marrë dhe kanë dhënë për PD-në. Sipas tij, ish zyrtarët e lartë që sot janë me mandat deputeti, duhet të jenë më aktivë dhe të ligjërojnë në Kuvend në mbrojtje të interesit publik.

“Unë si kryetar partie i një dege lokale nuk dua të hyj në asnjë lloj përplasje, pasi mendimet dhe qëndrimet e mia preferoj t’i shpreh në forume dhe nëpërmjet forumeve. Kam vlerësim maksimal për çdo kryetar partie, njëkohësisht vlerësoj çdo kontribut të një anëtari më të thjeshtë, apo ish ministri, ku secili në radhë të parë duhet t’i bëjë analizë vetvetes, për gjithçka ka marrë dhe ka dhënë për këtë forcë politike që ai përfaqëson.Njëkohësisht, unë për hir të së vërtetës, ish ministrave, që sot janë me mandat deputeti, do të kisha dëshirë tu kërkoja që të ishin më aktivë dhe të ligjëronin në parlament, për të ofruar alternativa zgjidhje në interes të situatës ekonomike dhe sociale, ku nëpërmjet këtyre debateve apo alternativave, të frenonin eksodin e frikshëm që sot ka pllakosur Shqipërinë”, u shpreh Stafa.

Kryedemokrati i Durrësit, ku Partia Demokratike humbi thellë përballjen me mazhorancën për bashkinë me të njëjtën emër, thotë se nuk i druhet analizës në PD.

“Unë personalisht nuk i frikësohem asnjë lloj analize, si kryetar i degës së PD, sepse jam i bindur që analiza dhe orientimet duhet të jenë të tilla, jo për “koka turku”, por për të gjetur alternativa që t’i shërbejnë forcimit të Partisë Demokratike. Jam i mendimit që mendimet dhe idetë nuk duhet të vijnë nëpërmjet kafeneve, por forumeve të Partisë Demokratike”, tha më tej ai.

Ai kërkon gjithashtu opozitë të fortë kundër keqqeverisjes së mazhorancës, për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Njëkohësisht do t’i bëja thirrje çdo qytetari që sot duhet të zhvishet nga qëndrimet politike dhe parësore të vendosin fatet dhe interesat e tyre personale dhe familjare. Kurrë ndonjëherë për 25 vjet demokraci në Shqipëri, situata ekonomike dhe sociale nuk ka qenë kaq e frikshme dhe e pasigurt sa sot”, theksoi ai. 
 
Genc Ruli
Një nga kritikët e fortë ndaj kryetari Basha, për qëndrimet e këtij të fundit lidhur me akuzat e kryetarëve të degëve, ish ministri Genc Ruli, përforcon atë që shprehu në mbledhjen me dyer të mbyllura në grupin e PD. Ish ministri i qeverisë “Berisha” u shpreh për Report TV se deklaratat e kryetarëve të degëve janë të papërgjegjshme, ndaj i ka kërkuar kryetarit Basha shpjegime.

Në mungesë të përgjigjes së duhur Ruli ka vendosur të largohet nga mbledhja. “Debate kemi gjithmonë është normale të kemi. Problemi kishte të bënte me deklarata të papërgjegjshme provokuese dhe aspak politike që bëjnë disa kryetar degësh. Kërkova të disiplinohen dhe doja të gjeja përgjigjen e duhur dhe përfundimtare e cila do vij, besoj se do vij”, u shpreh Ruli.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

'Ju kanë braktisur ambasadorët', debate në Studio Live/ Toska: Janë korruptuar nga Rama! Beqiri: Jeni në vete?! Doni të shkatërroni pasuritë e shqiptarëve me protestat

'Ju kanë braktisur ambasadorët', debate në Studio Live/ Toska: Janë korruptuar nga Rama! Beqiri: Jeni në vete?! Doni të shkatërroni pasuritë e shqiptarëve me protestat