‘Shëruesi’ i ikonave, Gent Vokopola rrëfen 25 vjet me restaurimin! Si po punohet me veprat në Institutin e Trashëgimisë Kulturore

Është realizuar 164 vjet më parë kjo ikonë e Diço Zografit. Nga motivet floreale, tek larmishmëria e skenave që plotësojnë figurën e Shën Nikollës, të veçantë e bën edhe shkrimi i emrit të shenjtorit në dy gjuhë… Gent Vokopola po e restauron në këtë qoshk të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore…

“Aktualisht në sektorin tonë po trajtohen disa ikona. Tre ikona të Diço Zografit, dy objekte arkeologjike dhe kemi disa fragmente nga  kisha e  Shën Todrit”, rrëfen specialisti i restaurimit Gent Vokopola.

Para se të kalohej në këtë fazë restauratori ka kryer dokumentimin fotografik e shqyrtuar veprën nga ana studimore ikonografike.

“Ndërhyrjet e para janë ato për përforcimin e pelikulës së ngjyrës, grumtit apo të strukturave të pikturës në atë murale. Pasi të jenë ringjitur mirë dhe të jetë stabilizuar kjo gjendje, vazhdohet me proceset e tjera. Me pastrimin, integrimin piktorik, pastrimin dhe plotësimin e vendeve që kanë rënë etj.

Kërkon durim e pasion zanati i vështirë i restauratorit që Vokopola ushtron prej më shumë se 25 vjetësh. Fillimet i kujton me mjeshtërit restauratorë…

“Përvoja ka dashur që ne që ishim më të rinjtë e merrnim profesionin nga më të vjetërit. Përmend këtu emra si Mustafa Arapi, Gazmend Muka, që për fat te keq nuk jetojnë më”, tregon Vokopola.

Ndër punët e tij të para ai kujton restaurimin e ikonave dhe ikonastasëve në Pavijonët e Artit Mesjetar në Muzeun Historik si dhe në Galerinë e Arteve.

“Ndërsa në terren ndër punët e para që kanë qenë dhe interesante janë ndërhyrjet në Manastirin e Spirodhonit në Vuno, Kisha e Shën Mërise etj. Pastaj më vonë ishte e domosdoshme dhe përfundimi i një shkolle për restaurimin. Unë kam qenë një nga ata studentë që kam pas fatin të bëjmë një shkollë dyvjeçare restaurimi që e udhëhiqte Instituti Çentral i Romës me financim të UNESCO-s”, shton specialisti.

Teknika e restaurimit siç rrëfen mbetet ajo tradicionalja.

“Puna manuale e restauratorit nuk zëvendësohet lehtë. Natyrisht që mund të evoluojë. Ka ndryshime të solucioneve apo të preparateve që përdoren. Sigurisht që, këto vijnë nga shkolla italiane, kryesisht Instituti Central i Romës merret me zbulimet e reja. Por, në përgjithësi mbetet puna manuale. Në rast se nuk ke manualit nuk mund të jesh restaurator i mirë”, thotë më tej.

Në restaurimin e ikonave, ikonostaseve a muraleve, thotë se puna në terren ka më shumë vështirësi. Të tilla ka shumë…

“Një ndër to ka qenë rikonstruktimi i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ku u mor një grup nga sektori ynë bashkë me specialistë të Drejtorisë Rajonale të Durrësit. Ne jemi marrë me restaurimin e qindra objekteve arkeologjike atje. Kemi punuar gati një vit e gjysmë e kemi restauruar objekte qeramike, hekuri, bronzi, guri etj.”, thotë Vokopola.

Ka raste kur restaurimi kërkon një kohë të gjatë.

“Në momentet kur vepra është e dëmtuar rëndë merr shumë kohë patjetër. Rasti më flagrant ose më sinjifikativ është piktura murale e dëmtuar e kishës “Shën Premte” në Valesh, po ashtu ajo e Onufrit  në vitin 2012. Ne e patëm marrë këtu dhe ishin qindra fragmente të vogla që  i kemi rikompozuar dhe i kemi bërë gati për t'i montuar për katër apo pesë vjet. Ka marrë shumë kohë derisa erdhi momenti që u vendosën në Kishë, ashtu siç ishin. Kjo ka qenë një nga punët e vështira por dhe interesante, që na dha dhe kënaqësi në fund kur përfundoi”, shprehet ai.

Projektet janë gjithashtu në agjendën e punëve prioritare të stafit të restaurimit.

“Sapo kemi përfunduar projektin e restaurimit të Kishës së Shën Mërisë së Spilesë,në fshatin Saraqinisht të Gjirokastrës. Një projekt ambicioz dhe interesant që do të bëjë të mundur restaurimin e pikturës murale dhe të ikonostasit të Kishës. Ndërsa, specialistët e arkitekturës së Drejtorisë Rajonale të Gjirokastrës po merren me restaurimin e projektit arkitektonik. Ne sapo kemi përfunduar atë për veprat e artit”, thotë Vokopola.

Shpreson që zanati i restaurimit të ndjellë më shumë të rinj. E njësoj siç kanë bërë të parët, ata i lënë dyert të hapura për cilindo që kërkon të mësoj më shumë…

“Të rinjtë mund të vijnë pranë sektorit tonë apo të arteve si dhe në DRKK-t rajonale ku mund të perfeksionohen dhe më tepër”, shprehet restauratori.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?

Ylli Pata: Pse opozita nuk ka fituar pikë nga hetimet e SPAK?