Këshilltarët socialistë, me anë të një kallëzimi penal të bërë në prokurorinë e Tiranës, i kërkojnë këtij institucioni të nisë procedimin ndaj kreut aktual të bashkisë, Lulzim Basha për kryerjen e veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Kjo pasi sipas tyre, duke shkelur të gjitha ligjet e urbanistikës dhe planifikimit të territorit, ai ka ndryshuar krejtësisht projektin e shpallur fitues në prill të vitit 2008 për transformimin e sheshit "Skënderbej", projekt i cili kishte mbyllur fazën e parë që kushtoi 5 milionë euro, duke tjetërsuar krejtësisht destinacionin, nga pedonal që parashikohej, ai tashmë është hapur për automjetet.
Sipas këshilltarëve socialistë, duke ndryshuar projektin e sheshit "Skënderbej" administrata e Lulzim Bashës ka shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e 6 milionë eurove, ku 5 milionë euro ishin pjesë e fazës së parë që u ndryshua dhe 1 milionë euro llogaritet të kenë kushtuar punimet e reja.
Prokuroria ka ngritur njësinë task-forcë që do të hetojë dhe do të vërtetojë nëse këto ndërhyrje në projektin fitues janë me leje dhe a kanë shkaktuar dëm ekonomik apo jo.