PRISHTINE, 27 Nentor/ATSH/-Premiera e filmit dokumentar kushtuar rapsodit dhe atdhetarit Dervish Shaqa,me regji dhe skenar të gazetarit të njohur Asllan Bajrami, u shfaq sot në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.
Filmi pasqyron jetën dhe veprimtarinë e Dervish Shaqës, si dhe sakrificat e shumta të tij, përfshirë edhe braktisjen e familjes për të mërguar në Shqipëri.
Dervish Shaqa ishte rapsod i shquar popullor dhe i njohur në të gjitha trevat shqiptare dhe këngët e tij në atë kohë konsideroheshin si një thirrje për çlirim të popullit shqiptar dhe si thirrje kundër shtetit jugosllav. Për këtë arsye, siç tregon edhe filmi i shfaqur, ai edhe ndiqej nga UDB-ja.Kjo e shtyri Shaqën që në vitin 1956 të shpërngulet në Shqipëri, dhe këtë e bëri jo nga frika për jetën e vet, porse për të pasur mundësi që t'i ndihmojë popullit të vet në luftën për liri.
Regjisori dhe skenaristi Bajrami tha se me anë të këtij dokumentari ka dashur të tregojë shumë të panjohura për Dervish Shaqën, për të cilat populli shqiptar nuk ka qenë në dijeni.
"Publiku shqiptar nuk është në dijeni për madhështinë e rapsodive, kumtit dhe mesazheve që ato përçonin dhe që i këndonte mrekullueshëm Dervish Shaqa. Por, në radhë të parë kam dashur që, dukezbardhur shumë të dhëna të panjohura për publikun e gjerë, qoftë profesionist, qoftë të thjeshtë, të nxis edhe krijuesit e rinj që t'i futen këtij zhanri, për të nxjerrë edhe të tjera vlera të Dervish Shaqës, të kohës së tij, të bashkë-këngëtarëve dhe të bashkëveprimtarëve për çështjen kombëtare, për çështjen e kulturës sonë të lashtë. Duke e spikatur në këtë formë ne mendojmë që do të krijojmë një vizion të qartë për identitetin tonë të qartë sikurse loti i syrit që jemi shqiptarë. Duhet t'i kultivojmë, duhet t'i avancojmë dhe duhet të arrijmë atje ku duam edhe sipas mesazheve të cilat i përçojnë vetë kënga e Dervish Shaqës", tha Bajrami.
Shaqa, përmes këngëve të tij, e ka shprehur edhe vuajtjen dhe mallin e tij për Kosovën, e këtu nuk kanë munguar as këngët për gruan dhe për dy djemtë e tij.
Sipas Skender Haklajt, i cili rapsodin e ka njohur personalisht, ai edhe pse nuk e ka parë për një kohë të gjatë familjen, kurrë nuk i ka harrur ata dhe ka qenë gjithmonë i dhënë dhe besnik ndaj tyre.
"Dervish Shaqa, përveç këtyre që u tha, ka edhe një sekret, ka një sekret për zonjën, për gruan e tij. Sekreti i tij më i madh është kjo që asnjëherë nuk hoqi dorë nga zonja, nuk hoqi dorë asnjëherë nga mundësia për ta sjellë zonjën në Shqipëri, bashkë me Aliun e vogël, nuk mundi me i sjellë. Unë i di edhe rrethanat pse nuk mundi ai me i sjellë, por më ka porositë, nuk është vendi për me i thënë. Dhe për zonjën, më ka pas lënë një amanet, nët'u dhëntë kur mundësia për me shku, i thu se Dervish Shaqa kurrë nuk të ka tradhtuar dhe ...", tha Haklaj.
Djali i madh i Dervishit, Shpend Shaqa, tha se ndihet i nderuar që është bërë një dokumentar i tillë dhe se tani është arritur qëllimi i të atit, e që ka qenë çlirimi iKosovës.
"Ne këto ngjarje që shpallen në këtë dokumentar, ne të gjitha i kemi ditur, por tash bukur do vite janë bërë, kur po i shohim disa gjëra, disafotografi të babës, disa incizime të babës, e besa edhe po mërzitemi nga pak, por çka me bë. Tash po e gëzojnë Kosovën shqiptarët, siç e ka pas qejf edhe Dervish Shaqa, ta gëzojë shqiptari Kosovën.", tha Shpendi.
Në këtë film dokumentar, po ashtu shfaqën edhe disa pjesë të këngëve të Shaqës, të patransmetuara ndonjëherë më parë.
Dokumentari i Asllan Bajramit do të shfaqet në RTK nesër në orën 21.30 në kuadër të programit festiv të 28 Nëntorit.
Dervish Shaqa u lind në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912, ndërsa vdiq më 11 prill 1985./kosovapress/./a.g/