Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit i akuzuar për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

42-vjeçari Fatmir Ibrahimi, u denoncua në polici nga 30-vjeçarja, e cila dëshmoi se ishte shfrytëzuar për prostitucion për 3 vite me radhë në Itali dhe Shqipëri. Sakaq, 30-vjeçarja është akomoduar nga autoritetet në një qendër sociale.

“Kapet një 42-vjeçar që dyshohet se për 3 vjet, ka shfrytëzuar për prostitucion, brenda dhe jashtë vendit, një 30-vjeçare.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm, të kallëzimit të një shtetaseje 30 vjeçe, se ishte shfrytëzuar për prostitucion, në Shqipëri dhe në Itali, për rreth 3 vjet, nga shtetasi Fatmir Ibrahimi, 42 vjeç, banues në Kavajë, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme mundësuan kapjen dhe vënien në pranga të 42-vjeçarit.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, bashkëpunuan me shërbimet sociale, me qëllim akomodimin e 30-vjeçares, në një qendër të përshtatshme për të.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, njofton policia e Durrësit.