Një apartament i marrë me qira në zemër të Tiranës ishte kthyer në bazë prostitucioni. Brenda tij, sipas hetimeve, shfrytëzohej një shtetase nga Azerbajxhani. Për këtë arsye dy persona përfunduan në pranga.

Të arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Network 3”. janë R. F., 20 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë. Sipas policisë, ata bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të shfrytëzuar për prostitucion gruan e huaj, e cila ushtronte aktivitetin në apartamentin në rrugën “Mihal Guri”.

E reja u procedua penalisht për ushtrim prostitucioni.

Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari dhe katër telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e aktivitetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë 


"Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Netëork 3”, pas një hetimi të kryer me metoda proaktive. Shfrytëzonin 1 shtetase të huaj, për prostitucion, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Procedohet penalisht dhe shtetasja e huaj që ushtronte prostitucion. Sekuestrohen një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe 4 celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Network 3”.  Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit R. F., 20 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion një shtetase nga Azerbajxhani, e cila e ushtronte prostitucionin në një apartament me qira në rrugën “Mihal Guri”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe 4 celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme"