Nga 11 qershori deri më 19 korrikun e vitit 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada do zhvillohet Kupa e Botës 2026 në futboll. Për herë të parë ky turne do përbëhet nga 48 skuadra, ndërsa edhe FIFA 'ka zgjidhur qesen'.

Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha të Katarit me rastin e finales së Kupës Interkontinentale, ka miratuar një pagesë rekord prej 10 milionë eurosh për çdo ekip i cili merr pjesë në Botërorin 2026. Kjo është shifra më e lartë e akorduar ndonjëherë për ekipet përfaqësuese në një kompeticion të tillë, ku janë rritur edhe shpërblimet për çdo fazë që kalohet në turne, për të arritur deri në 50 milionë euro më shumë që do të përfitojë skuadra e cila shpallet Kampione Bote.

Kombëtarja e Shqipërisë do kërkojë fazën finale nga play-off-i. Në 26 mars 2026 tanët do luajnë kundër Polonisë në Varshavë dhe nëse fitojnë do luajnë kundër fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi.

Pra, veç prestigjit për pjesëmarrjen për herë të parë në një Kupë Bote, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do merrte edhe 10 milionë euro nga FIFA për këtë arritje.