Një shifër e frikshme sa i përket viktimave nga COVID-19 është shënuar në Maqedoninë e Veriut, ku gjatë 24 orët e fundit kanë humbur jetën 10 persona. Një numër kaq i lartë viktimash nuk ishte shënuar në vend prej shfaqjes së variantit Delta. Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, ka lajmëruar gjithashtu se gjatë ditës së sotme, nga 9.270 testime të kryera kanë rezultuar me koronavirus 792 persona. Aktualisht në vend, numri i pacientëve aktivë me COVID-19 gjithnjë po rritet duke arritur 5.043
Nga ana tjetër rastet pozitive janë rritur në mënyrë drastike edhe në Kosovë, ku gjatë 24 orëve të fundit nga 9.169 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 1.370 qytetarë. Në vend u regjistrua vetëm 1 humbje jete, ndërsa procesi i vaksinimit masiv po vazhdon dhe gjatë 24 orët e fundit janë dhënë 19.538 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Bilanci i rasteve pozitive dhe viktimave në rajon sa vjen edhe po rëndohet, duke shënuar përditë shifra alarmante. Kjo valë e re e COVID-19, vjen pasi bota u “godit” nga një tjetër variant, delta. Shumë nga shtetet kanë shtrënguar sërish masat anti-COVID dhe kanë përshpejtuar brenda mundësive procesin e vaksinimit, në mënyrë që situata të mbahet sa është e mundur nën kontroll.