TIRANE- Disa zëra opozitarësh, ish zyrtarësh, eksponentë apo jo të tillë, madje edhe kolegë gazetarë kanë trajtuar ditët e fundit në media një problem të njohur, atë të kontrabandës së cigareve. Nuk kam lexuar apo dëgjuar ndonjë rekomandim se si e me çfarë mekanizmi mund të minimizohet ky fenomen, gjithsesi i dëmshëm për ekonominë. Ashtu sikundër nuk kam gjetur një emërues të përbashkët në ato që i quajnë rëndom “analiza”.

Duhet pranuar fenomeni, që është i hershëm, me ulje e ngritje të rregjistruara në vite, krijuar nga faktorë të shumtë, disa prej të cilave të lidhur me politikat e shpeshta fiskale, të identifikuara si ndryshim akcize, disa të tjera me politika që synonin rritjen e të hyrave fiskale e, më tej, edhe me rekomandime të ndërkombëtarëve që e shihnin sektorin e importimit dhe tregtimit të cigareve si një “fushë”, ku mund të synohej ekspansion në të hyrat fiskale.

Por le të shikojmë më tej, nëpërmjet shifrave, të konsultuara me ekspertë të financave dhe të ekonomisë, por edhe me aktorët kryesorë të tregut të duhan cigareve, se cila është panorama e treguesve që të “yshtin” të artikulosh togfjalëshin “kontrabandë e cigareve”.