Duke treguar se publikimi i qarkores për krerët e SHISH nëpër rrethe, për të verifikuar gjithë drejtuesit e policisë së shtetit, ishte vetëm pjesa fundore e “aksionit”.
Burimet thonë se këto informacione kanë mbërritur që para një muaji në zyrën e Berishës dhe janë përzgjedhur ata drejtues që garantojnë goditjen e shpejtë ndaj mazhorancës për të bërë publike dosjet e tyre.
S’është rastësi që eksponentë të lartë të PD-së dhe zëdhënësja dalin çdo ditë e bëjnë publike një emër drejtori, duke akuzuar Ramën se ka sjellë në poste drejtuese njerëzit e përzier në probleme me ligjin. Mësohet se informacionet kanë si bazë pjesën e akuzave nga Prokuroria, pasi për të tre rastet e para të paraqitura nga ana e PD-së, ka reagime se s’ka pasur dënim nga Gjykata. Për më tepër dëshminë e penalitetit të marrë sipas ligjit, e kanë të pastër. Rasti më i pastër ishte ai i drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Portin e Durrësit, Fisnik Myrtezaj që dha dorëheqjen dje menjëherë pas akuzave të PD-së për trafik kokaine.
“S’kam probleme me drejtësinë. S’kam qenë e s’jam i ndjekur nga policia. Sulmi ndaj meje është me prapavijë politike. Organet drejtuese do vërtetojnë gjithçka. Jap dorëheqjen për të mos penguar drejtësinë dhe për të mos njollosur Autoritetin Portual të Durrësit”, shkruan Myrtezai në dorëheqje. Pas tij reagon dhe Autoriteti Portual i Durrësit që thotë se, pas verifikimeve të bëra nga ana e këtij institucioni, është arritur në përfundimin se, Myrtazaj është i pastër dhe ndaj tij s’ka ndjekje penale. Të njejtën strategji PD ndoqi dhe ditë më parë teksa ka akuzuar qeverinë se ka emëruar në krye të Zyrës së Punësimit në Kavajë, Sajmir Kurtin, person që 2 vite më parë u shpall në kërkim nga prokuroria për kontrabandë.
Pak orë më pas ai paraqiti dorëheqjen nga posti, me argumentin se u përgojua nga PD. Po PD akuzoi dhe kreun e AKU në Vlorë Aleksandër Kalemaj, se është person që është arrestuar më parë për prodhim të lëndëve të rrezikshme për shëndetin, gjë që solli dhe shkarkimin e tij nga ministri i Bujqësisë Panariti, me kërkesë të kryeministrit Rama. Mësohet se e njëjta strategji do ndiqet ditë pas dite, me këto akuza ndaj drejtuesve të emëruar nga mazhoranca, duke tentuar të krijohet ideja se kjo mazhorancë mbështetet mbi njerëz të inkriminuar. Në fund radha është e policisë.
Shkrimi u publikua sot (25.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)