SHISH dorëzon përgjimin që
hedh dritë mbi vrasjen e Santos

TIRANE - Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika i ka dorëzuar kryeprokurorit Adriatik Lalla, një raport me informacionet dhe përgjimet që lidhen me zbardhjen e vrasjes së bankierit 58-vjeçar Artan Santo. Gazeta “Shqiptarja.com” ka mësuar se mes informacioneve të SHISH mësohet të jetë edhe një përgjim që Shërbimi Sekret ka mundur të sigurojë për këtë çështje. Dita e diel ka shërbyer për verifikimin e plotë të grupit të hetimit, nëse ekzistojnë personat e përmendur në të dhënat e servirura nga kreu i SHISH.
 
Lika ka marrë përsipër të sjellë informacionet që mund të kenë partnerët e huaj të shërbimeve sekrete, për të mësuar rreth problemeve që mund të ketë pasur bankieri shqiptare me bankierë të huaj, dhe jo vetëm.
 
Të dhënat e reja mbi atentatin mafioz, ishin analizuar edhe në një tjetër takim të së shtunës mes Kryeprokurori Lalla me 4 prokurorët e grupit hetimor, Petrit Fushën, Albert Nelën, Adriatik Camin dhe Dritan Nushin.
 
Konsultimi me informacionet e shërbimeve sekrete erdhi në një moment kur policia dështoi në ndjekjen dhe kapjen e autorëve nëpërmjet formave të identifikimit të motorit me të cilin ata kryen krimin e paradites së të enjtes, për të arritur tek vrasësit nëpërmjet pronësisë së mjetit.
 
Biznesmeni Santo, bashkëpronar i medias "Focus Group", i bankës “Credins” dhe “TV Scan”, u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona të maskuar, pranë selisë qendrore të bankës "Credins", teksa ishte duke hyrë në institucion.
 
Policia ka raportuar se prova kryesore që ajo ka janë pamjet filmike të ditës së krimit dhe disa ditëve të mëparshme kur dyshohet të jetë organizuar atentati mafioz.
 
Ndërsa për Klodian dhe Sajmir Gjozin, që u dyshuan se janë pronarët e motorit me të cilin u krye krimi, policia u mjaftua me disa fishekë të gjetura në banesë për t’i arrestuar për municion mbajtje, për dy kushërinjtë nga Lezha të shoqëruar si të implikuar policia nuk ka mundur të sajojë një motiv për t’i mbajtur në qeli.
 
Mbajtja në qeli për një akuzë tjetër do i mjaftonte grupit të hetimit për të konkluduar në verifikimin apo rrëzimin e dyshimeve për ta.
 
Për dy kushërinjtë lezhjanë policia kishte dyshime të arsyeshme për lidhje në marrjen e motorit Gjozëve, dhe dyshime për një motiv të arsyeshëm që lidhet me një transaksion 75 mln euro për të cilat kishte dalë garant banka e 58-vjeçarit Santo.
 
Për çështjen e transaksioneve bankare, Prokuroria e Përgjithshme ka angazhuar Task-Forcën për antikrimin financiar dhe prokurorin Ndini Tavani, për verifikimin me imtësi të veprimtarisë së bankës “Credins”. Prokurori Tavani do kryejë skanerin e transaksioneve bankare për të parë ndonjë kalim shume lekësh të dyshimtë, që mund të ketë sjellë dhe lindjen e konflikteve, dhe më pas vrasjen e biznesmenit të njohur Artan Santo.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj afatet e hetimit për Arben Ahmetajn

Në arrati nga viti 2023, SPAK shtyn me 3 muaj afatet e hetimit për Arben Ahmetajn