SHISH-i dështoi me hetimin
ia dha shkresën deputetëve

TIRANE- “Rastet e trafikut të drogës në ushtri dhe polici janë individuale dhe nuk ka struktura të veçanta të FA të implikuara në këto veprimtari kriminale”. Kështu është shprehur Maksim Ferraj, ish-drejtori i zbulimit në Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili në ushtrimin e detyrës së tij, ka konstatuar raste të veçuara të përfshirjes së efektivëve të ushtrisë apo policisë në trafikun e drogës dhe krimeve të tjera. Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-zyrtari i SHISH, sqaron se situata aktuale me akuzat për përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës është qesharake.

Sipas tij nuk ka mundësi që të ketë trafik droge në mënyrë të përsëritur dhe sistematike duke përdorur avionët, pasi diçka e tillë do të zbulohej shumë shpejt, jo vetëm nga institucionet inteligjente të vendit tonë por edhe nga shtetet fqinje. Ferraj, shpjegon se një avion charter që ngrihet në Shqipëri, normalisht që do të ulet në një shtet fqinj, si Greqia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Italia. “Pra kjo do të thotë që gjurmët ekzistojnë dhe nëse janë provat është shumë e lehtë për t’u vërtetuar dhe provuar”, tregon Ferraj. Më tej ish-drejtori i SHISH, sqaron se rastet e individualizuara janë të një apo dy individëve, por jo të një ushtrie apo policie të tërë. Sipas tij, nëse SHISH e kishte marrë seriozisht hetimin e rastit të avionit në Gjadër, pse duhet ta fuste këtë informacion në gojën e deputetëtëve të PD, kur dihet që situate do merrte trajta politike.

Zoti Ferraj, ju prej disa vite keni shërbyer në një nga drejtoritë qendrore të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe e njihni mirë punën operative të agjentëve të SHISH. Në gjykimin tuaj sa i vërtetë duket informacioni i përpiluar nga Visho Ajazi Lika, për rastin e uljes së një avioni në bazën ushtarake të Gjadrit?
Shkresa është dokument shtetëror dhe ajo që është shkruar mbi të duhet të verifikohet nga disa burime, jo vetëm nga një informator i vetëm. Pa i hyrë, anës teknike të atij informacioni dhe dhënë pikëpyetjet e mia, ju them se vendi ku mendohet se është ngritur dhe ulur avioni është i braktisur. Baza e Gjadrit nuk është nën kontrollin e ushtrisë, dhe për momentin ajo shërben vetëm për garat e makinave dhe motorëve. Për pasojë edhe mund të ketë pasur një ulje-ngritje avioni, por kjo s’do të thotë që ushtria, baza ajrore e ushtrisë dhe efektivët, të jenë implikuar në trafikun e drogës. Rastet e individualizuara i përkasin një individi dhe jo një strukture të tërë policore apo ushtarake, siç po akuzohet së fundmi.

Gjatë kohës të ushtrimit të detyrës në SHISH, keni pasur raste të vjeljes së informacionit, ku tregohej implikimi i ushtarakëve dhe policëve, në trafikun e drogës dhe krimeve të ndryshme?
Sigurisht që po. Ka pasur, por gjithmonë kanë qënë raste të individualizuara. Persona e përfshirë janë kapur, akuzuar dhe dënuar, por kurrë s’kemi përmendur se Ushtria dhe Policia janë të implikuara në trafiqe dhe krime. Të tilla rast sot e kësaj ditë ka në polici dhe ushtri, por këto duhen ndjekur në dinamikë nga tre strukturat inteligjente, Polici, SHISH dhe Prokuroria. Nëse ky informacion i SHISH ishte i dobishëm, duhej të ndiqej në dinamikë me Policinë dhe Prokurorinë, dhe SHISH nuk duhet të nxitonte për ta futur në gojën e deputetëve të PD, pasi dihet se si do të interpretohej. Mund t’ju them se edhe nëse ka pasur diçka të vërtetë në atë avion që ulet një herë në Gjadër një herë në Lushnjë, kjo çështje tashmë s’mund të zbardhet dhe të mësohet indetiteti i personave që janë të përfshirë në këto udhëtime të mistershme. Kjo për shkak se tashmë gjithçka u bë publike, dhe një hetim dinamik s’mund të zhvillohen në këto kushte. Unë mendoj se SHISH, dështoi në këtë drejtim.

A mund të merren të dhëna nga shërbimet inteligjente të huaja fqinjë apo nga shërbimet e aeroporteve civile për lëvizjen e çdo avioni?
Patjetër që po. Një avion që ngrihet një herë në Gjadër dhe një herë në Lushnjë, normalisht që ulet diku, se s’mund të qëndrojë në ajër. Çdo avion është i rregjistruar dhe nëse janë të dhënat dhe karakteristikat e tij, menjëherë indentifikohet dhe në shtetet fqinje. Kjo tregon se mund të sigurohen prova, dhe nëse ka vullnet dhe mund të faktohet gjithçka. 

Shkrimi u publikua sot 27 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)   

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tenderi për Porto Romanon/ Berisha: Qeveria e PD s'do njoh asnjë tender deri në 15 maj 2025! Zotohem që ai projekt s'do ndodhë kurrë

Tenderi për Porto Romanon/ Berisha: Qeveria e PD s'do njoh asnjë tender deri në 15 maj 2025! Zotohem që ai projekt s'do ndodhë kurrë