SHISH i Visho Ajazit përgjoi 
ambasadorët dhe Ramën me Metën

TIRANE- Shërbimi Informativ Shtetëror ka pasur nën përgjim aparatet telefonike të deputetëve dhe ambasadorëve të huaj në Shqipëri. Në dokumentin prej 30 faqesh në të cilin janë evidentuar rezultatet e kontrollit të ushtruar në SHISH nga deputetët e Komisionit të Sigurisë, pjesa e përgjimeve të tabulateve telefonike të deputetëve dhe ambasadorëve të huaj në vendin tonë përbën një prej shkeljeve më flagrante që në këtë institucion janë konstatuar.

Vetëm një ditë pas paraqitjes në Komision të rezultateve të kontrollit në SHISH, një nga deputetët e grupit të kontrollit Xhemal Qefalia ka akuzuar ish-qeverinë Berisha për përgjimet që ka bërë për deputetët dhe ambasadorët. Në seancën plenare të ditës së enjte, Qefalia ka akuzuar drejtpërdrejtë Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e aparaturave për përgjimin e deputetëve të majtë gjatë kohës që ata ishin në opozitë. “Mazhoranca e shkuar kur ishte në pushtet nuk krijonte një linjë bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, pasi këta të fundit e kishin mendjen të blinin pajisje për të përgjuar deputetë dhe pse jo edhe ambasadorë”, u shpreh Qefalia.

Rama-Meta
Skandali i përgjimit të tabulateve telefonike bëhet më i madh kur pre e përgjimeve mësohet të ketë rënë edhe kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta. Përgjimet e dyshes drejtuese të mazhorancës mësohet se janë kryer gjatë kohës kur pritej të bëhej rotacioni politik pas zgjedhjeve të 23 qershorit por edhe pas marrjes së detyrave. Burime konfidenciale të “A1 Report” në Komisionin e Sigurisë, konfirmojnë mbi këtë përgjim që i është bërë kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta.

Burimet bëjnë me dije se përgjimeve telefonike nuk i kanë shpëtuar as deputetët e Kuvendit dhe ligjvënës të cilët kanë peshë në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas po të njëjtave burime të “A1 Report”, përgjimet e kryera nga SHISH nuk kanë qenë vetëm ato që deputetët e mazhorancës kanë kryer mes tyre por edhe biseda personale që ata kanë bërë me persona të tjerë. Burimet shpjegojnë se në materialin e paraqitur në Komisionin e Sigurisë janë evidentuar të gjitha shkeljet ligjore dhe penale të kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika. Komisioni i Sigurisë ngriti në muajin maj të këtij viti grupin e punës prej 5 anëtarësh, por në fakt vetëm 3 deputetë të mazhorancës ushtruan kontroll në SHISH, ndërsa opozita nuk pranoi të merrte pjesë.

Rama pret raportin e deputeteve per te vendosur per Visho Ajazin
Raporti i hartuar nga deputetët e Komisionit të Sigurisë do t’i dorëzohet kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta. Tre deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, të cilët për një periudhë gati dy mujore zhvilluan një kontroll në SHISH kanë prezantuar ditën e mërkurë rezultatet me të gjitha shkeljet e konstatuara. Kopjet e këtij dokumenti prej 30 faqesh do t’i dorëzohen kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta të cilët priten të njihen edhe me periudhën kohore në të cilën institucioni i drejtuar nga Visho Ajazi i ka pasur nën përgjim.

Tashmë do të mbetet në dorën e kreut të qeverisë Rama për të marrë ose jo masa ndaj kreut të SHISH për gjithë shkeljet e konstatuara. Informacionet konfidenciale që përmban raporti bëjnë që dokumenti në fjalë të mos kalojë për miratim në kuvend. Por veç përgjimeve të realizuara, mësohet se shkelje të rënda në SHISH të jenë evidentuar edhe me emërimet në këtë institucion. Sipas burimeve bëhet e ditur se në SHISH janë punësuar persona të cilët nuk kishin arsimin përkatës.

Komisioni i Sigurisë mandatoi në 23 prill Pirro Lutajn, Xhemal Qefalinë dhe Pjerin Ndreun për të verifikuar ligjshmërinë e një shkrese sekrete dërguar nga qendra e SHISH drejt periferisë së saj tek drejtorët e rretheve të SHISH, ndërkohë që në 14 maj Komisioni mori vendimin për ushtrimin e kontrollit në brendësi të institucionit, pavarësisht bojkotit të opozitës. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Adriatik Doçi: U përball me bandat me automatik/ Kush është Elvin Gogaj, prokurori që po heton Belind Këlliçin

Adriatik Doçi: U përball me bandat me automatik/ Kush është Elvin Gogaj, prokurori që po heton Belind Këlliçin