SHISH “gjueti shtrigash” për
videokasetën e drejtorit Didi

TIRANE- Një urdhër verbal i lëshuar nga kreu i SHISH Visho Ajazi, ka vënë në “gjueti shtrigash” një grup agjentësh, për të zbuluar njolla kriminale në biografinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Qëllimi i këtij urdhëri është sigurimi i një videokasete që bën fjalë për ngjarjen e 29 majit 1999, ku ka mbetur i vdekur, shtetasi shqiptar Flamur Pisli dhe një shtetas grek, Jorgos Kurluris, që ndodhej në autobuzin e marrë peng nga Flamur Pisli.

Pikërisht në këtë operacion policor të përgjakshëm, ka qënë pjesëmarrës kryepolici aktual Artan Didi, për të cilin strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror kanë infiltruar të dhëna, se ka qënë një nga efektivët pjesëmarrës në ekzekutimin e dy personave të sipërcituar. Ngjarja në atë kohë është filmuar nga kamerat e televizioneve greke, të cilat sigurojnë dhe videokasetën, me anën e së cilës me sa duket SHISH kërkon të kryqëzojë drejtorin e Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Nuk dihet se nga kush është kërkuar ky informacion, në një kohë kur pikërisht dhe Partia Demokratike ka marrë në dorë komisionin parlamentar hetimor ndaj lëvizjeve në radhët e policisë, si dhe në një kohë kur PD-ja, ka shtuar akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Tahiri për mbushjen e radhëve të policisë me eksponentë kriminalë.

Videokaseta greke
Një grup agjentësh të degës së kundërzbulimit, që janë në varësi të drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Narkotikëve, kanë marrë një mision, për të nxjerrë njolla në karrierën policore të drejtorit të Policisë së Shtetit Artan Didi. Urdhëri është lëshuar nga Visho Ajazi, ndërkohë ky i fundit nuk dihet se nga kush ka marrë spunto për t’i zgjuar dhe aktivizuar agjentët e tij, për të gërmuar rreth emrit të Artan Didit.

Burime pranë SHISH, i thanë gazetës “Shqiptarja.com” se në këtë operacion nuk është përfshirë një agjent i vetëm por disa, ku janë ngarkuar të sigurojnë pamjet filmike të televizioneve greke, të cilat kanë filmuar veprimet e Artan Didit, në ngjarjen e 29 majit 1999, ku mbetën të vdekur Flamur Pisli dhe shtetasi grek Jorgos Kurluris. Nëse kjo kasetë është arritur të sigurohet, ka shumë mundësi që të përdoret si provë në Komisionin Hetimor Parlamentar ose në një sulm konferencial të Partisë Demokratike. Aktualisht, për këtë operacion nuk dihet se deri në çfarë faze kanë arritur kërkimet dhe se si janë administruar të dhënat e përfituara nga agjentët e SHISH.

Provat e SHISH tek PD
Çdo informacion që është siguruar në rrugë operative për zyrtarë të policisë, prefektë, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë të rëndësishëm, duket se i ka kaluar dhe zyrtarëve të PD-së. Një burim pranë SHISH, tha ditën e shtunë për gazetën “Shqiptarja.com”, se shumë informacione që mbledhin në terren, i dëgjojnë në televizor nga zyrtarë të PD-së. Në disa raste zyrtarë të PD-së, nuk janë shfaqur vetëm me informacione, por dhe me foto e video konkrete ku kanë akuzuar zyrtarë të policisë si të përfshirë në veprime kriminale dhe duke qëndruar afër kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
 
Për tritolin
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pak ditë më parë akuzoi kreun e SHISH se nuk ka dërguar asnjë informacion konkret lidhur me vendosjen e tritolit, rrugët e hyrjes së tij në Shqipëri dhe eksponentët kriminalë.
 
Drejtoria KKON
Pikërisht drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Narkotikëve është vënë në shërbim të vjeljes së informacionit për zyrtarë të lartë, deri tek shefat e qarkullimit, e më poshtë për biografinë e tyre.
 
Debatet te Siguria
 
Kreu i SHISH në Kuvend për akuzat për përgjim dhe emërimet e paligjshme
 
Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika pritet që të raportojë nesër në Komisionin e Sigurisë në lidhje me akuzat që janë bërë kohët e fundit për emërimet pa kriter në këtë institucion, si dhe për atë të përgjimeve të drejtuesve të policisë, Tatimeve, Doganave, deputete dhe etj. Shumica në komision vendosi që kjo mbledhje të jetë me dyer të mbyllura, vendim që ngjalli debate dhe akuza nga ana e opozitës.
 
Replikat
Braho: Ditën e mërkurë do të jetë raportimi i kreut të SHISH, ky me detyrim ligjor për vitin 2013. Do t’iu përgjigjet edhe kërkesave për problematikat e ngritura për emërimet në SHISH.
Noka: Kërkesa jonë është edhe për sqarimin e akuzave të ministrit të Brendshëm. Ne duam një seancë të posaçme me kreun e SHISH, pastaj të raportojë edhe për kërkesën e Qefalisë. Jemi që të ndajmë raportimet.

Sterkaj: Visho është shumë efiçent në punë dhe i aftë për t’i ndarë.
Lutaj: Ka dhe një problem që ka dalë për një kërkesë që ka bërë SHISH për emërime të drejtorëve të policisë. Të na raportojë se çfarë ka zbuluar për këto emërime.
Noka: Opozita jo se nuk është dakord me kërkesat tuaja. Pikë e veçantë është vetëm kërkesa e opozitës për një çështje specifike.
Qefalia: Pse e juaja është specifike dhe e jona jo?

Noka: Ju doni ta thërrisni për të gjitha, por ka një problem sepse po e bëni për të eklipsuar çështjen themelore.
Balla: Nuk mund të bëjmë 17 seanca dëgjimore me një drejtues të institucionit. Çështja juaj është e para. Ne jemi shumë të shqetësuar edhe për të tjerat.
Noka: Siç e thatë ju çështja e parë në rendin e ditës duhet të jetë kërkesa jonë. Unë nuk jam rakorduar për këtë kalendar.
Braho: Kam dhe unë një kërkesë. Raportimi i kryetarit të jetë me dyer të mbyllura

Noka: Në rast se doni ta bëni me dhunë kartonësh, bëjeni. E vërteta është se duhet të ishte konsultuar kryetari dhe nënkryetari. Të gjithë qytetarët duhet të marrin vesh të vërtetën. Në rast se mbi të rëndojnë akuzat e ministrit ose ministri gënjen.
Sterkaj: Na je bërë si me qenë baba i këtij komisioni.
Braho: Duhet të jeni me këmbë në tokë. Unë nuk marr përsipër të shkel ligjin që ta bëjmë sekretin shtetëror pronë të gjithë miletit.
 
 Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur

Të shtëna me armë zjarri në Bulqizë! Policia gjen një motor të djegur