SHISH,Nishani: Evito konfliktin
verbal,Tahiri: Thuaj të vërtetën

TIRANE- “Evito konfliktin verbal me institucionet.” Kështu mësohet ta ketë këshilluar Presidenti Bujar Nishani ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në takimin 1 orësh zhvilluar sot pas mesditës në Presidencë.

Kishte qenë vetë Ministri Tahiri i cili kishte kërkuar këtë takim, për t’i vënë në dispozicion, siç tha ai, të vërtetat të cilat tregojnë se SHISH nuk ka bashkëpunuar me Policinë në parandalimin e akteve terroriste të shpërthimit me tritol. Për ministrin, Presidenti do ishte më mirë të moderonte bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe të qëndronte mbi palët.

Ndërsa Presidenca përmes një njoftimi për shtyp informonte se, Presidenti Nishani pasi kishte kërkuar të evitohen konfliktet verbale me institucionet sugjeroi dhe që angazhimet dhe kontributet e rëndësishme të institucioneve kushtetuese të vendit në fushën e sigurisë, të vlerësohen dhe shfrytëzohen maksimalisht nga ana e Policisë së Shtetit. 

TAHIRI: E VERTETA NUK ESHTE ÇKA THOTE NISHANI  
”Gjykoj që brenda kornizës institucionale jemi të dënuar të gjithë bashkë t’i përkushtohemi të vërtetës. Pashë me vend t'i bëja me dije të vërtetën veçanërisht pas deklaratave të tij të fundit. Gjykoj që Presidenti i Republikës të rrinte mbi palët dhe të nxiste bashkëpunimin institucional. Gjykoj që në të gjitha rastet do ishte më e shëndoshë që Presidenti të moderonte bashkëpunimin ndërmjet institucioneve sesa duke neglizhuar të vërtetën të mbante një pozicion. I dhashë informacionin e plotë, shkresor një dosje të plotë. Presidenti nëse ka vullnet do e shohë dhe se e vërteta shkresore e këtij komunimimi është larg nga deklaratat që Presidenti ka bërë”, tha Tahiri në një prononcim për median sapo doli nga Presidenca. 

REAGIMI ZYRATAR I SELISE SE PRESIDENCES
Nuk vonoi dhe në redaksitë e gazetave vjen dhe qëndrimi i Presidencës.

"Sot, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani priti në takim Ministrin e Brendshëm, zotin Saimir Tahiri, me kërkesën e këtij të fundit. Ministri i Brendshëm i paraqiti Presidentit të Republikës disa pretendime në lidhje me bashkëpunimin institucional në kuadrin e luftës kundër krimit të organizuar. 

Presidenti i Republikës, pasi e vlerësoi si me rëndësi prioritare bashkëpunimin dhe besimin ndërinstitucional, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, e këshilloi Ministrin e Brendshëm të evitojë konfliktin verbal me institucionet,  veçanërisht në kontekstin e angazhimeve ligjzbatuese. Presidenti i Republikës sugjeroi gjatë këtij takimi që angazhimet dhe kontributet e rëndësishme të institucioneve kushtetuese të vendit në fushën e sigurisë të vlerësohen dhe shfrytëzohen maksimalisht nga ana e Policisë së Shtetit, në interes të objektivit të përbashkët në luftën ndaj krimit dhe trafiqeve."

TAKIMI ZGJATI NJE ORE
Takimi më shumë se 1 orësh ishte kërkuar nga vetë ministri i Brendshëm pak ditë pasi Presidenti Nishani mori në mbrojtje kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi duke deklaruar se ky i fundit kishte pasur komunikim frekuent me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit gjatë gjithë periudhave. Madje Visho Ajazi i kishte paraqitur praktikën e këtij komunikimi për tritolin, krimin e aktet terroriste. 

Nga ana e tij ministri i Brendshëm akuzon SHISH se nuk ka bashkëpunuar me policinë e shtetit për të parandaluar këto akte terroriste. 

CFARE PAT DEKLARUAR NISHANI 
"Si kreu i shtetit pas marrjes së informacionit gjatë diskutimeve në Komisionin e Sigurisë se SHISH nuk ka informacion, se nuk ka bashkëpunuar me strukturat e tjera, siç është policia e shtetit në lidhje me çështjen e tritolit, i shqetësuar i kam kërkuar shpjegime dhe informacione drejtorit të SHISH e pas kësaj jam ballafaquar me një praktikë korrekte mjaft frekuente të informacionit të detajuar dhe të adresuar nga ana e drejtorit të SHISH për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e Shtetit gjatë gjithë vitit 2013 dhe po ashtu në mënyrë frekuente gjatë gjithë periudhës së 2014, nga janari e në vijimësi. "

"Unë besoj që mënyra e komunikimit dhe ajo praktikë me të cilën unë u informova e u ballafaqova, tregon për një angazhim serioz, profesional e përkushtues nga SHISH për çështjen e tritolit”, ka qënë deklarata e Nishanit, në lidhje me akuzat për mosdhënie informacioni. Paçka, se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar publikisht në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se nuk kishte marrë asnjë informacion nga SHISH për aktet terroriste, duke akuzuar rëndë Visho Ajazin."- deklaroi Nishani në një prononcim për median më datën 15 mars.  

Takimi i kërkuar nga vetë ministri nisi rreth orës 13:00 dhe zgjati më shumë se një orë në ambientet e Presidencës.

Redaksia online 
(SUELA GERA/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID te 'Shefqet Ndroqi' , Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID te 'Shefqet Ndroqi' , Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)