Një 22-vjeçar shqiptar së bashku me dy shtetas grekë kanë rënë në prangat e policisë greke pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike.
Sipas Departamentit të Prokurorisë së Narkotikëve pranë Sigurimit të Patrës, 22-vjeçari është koka e bandës, i specializuar për shitje droge në qytetin e Patrës, pasi grupi paketonte lëndën narkotike në ambientet e zgarës që 22-vjeçari posedonte.
Në ambientet e zgarës u gjetën edhe 9500 euro si dhe një makinë dhe dy motoçikleta të cilat u konfiskuan nga policia.
Sipas raportimit të Policisë, posedonin 128 gram kokainë dhe 7.1 kilogramë kanabis, sasi të cilat u gjetën edhe gjatë kontrollit të policisë në banesat e tyre dhe në një apartament-magazinë në Patras.
Dy shtetasit grekë janë emra të njohur për policinë helene, pasi në të kaluarën kanë dhunuar një kasap për çështje borxhi.
Policët e Prokurorisë së Narkotikëve të Patrës kishin vëzhguar prej kohësh grupin, ndërsa provat që kishin mbledhur ndaj tyre çuan në arrestimin e tyre dhe konfiskimin e sasive të drogës.