E.B 21 vjeç, E. M adoleshent 17-vjeçar, të dy nga Tirana, dhe Rron Berisha 26 vjeç nga Prishtina janë vënë në pranga nga policia e Vlorës pasi shpërndanin drogë ekstazi dhe MDMA në këtë qytet. Policia ka sekuestruar 26 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit MDMA, 141 tableta të dyshuara narkotike të llojit Ecstasy si dhe një shumë parash.
"Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve E. B. dhe E. M., si dhe kontrollit të ambientit, ku ishin akomoduar këta shtetas, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit MDMA, 61 tableta të dyshuara narkotike të llojit Ecstasy si dhe një shumë parash. Në vijim të veprimeve policore, gjatë kontrollit fizik të shtetasit Rr. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestrun në cilësinë e provës materiale, edhe 80 tableta të dyshuara narkotike të llojit Ecstasy. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas", njofton ndër të tjera policia e Vlorës