Ekstazi me logon e ‘Louis Vuitton’, sekuestrohen mbi 11 mijë tableta me vlerë 400 mijë euro në Tiranë! Droga vinte nga Kosova! Mes 5 të arrestuarve edhe zyrtari i LVV-së

TIRANË- Fluksin e turistëve në pikun e sezonit turistik të cilët hyjnë nga pika kufitare e Morinës, një rrjet trafikantësh droge, e ka shfrytëzuar për të trafikuar tableta ekstazi nëpërmjet linjës së autobusit të pasagjerëve Prishtinë-Durrës. Droga sintetike, e cila u sekuestrua dje në Tiranë (14 gusht) pasi vinte në Durrës, shpërndahej në Tiranë e në qytetet bregdetare të Shqipërisë nëpërmjet makinave të marra me qira. Në drogën ekstazi ishte stampuar logoja e markës luksoze ‘Louis Vuitton’.

Në kuadër të operacionit ‘Punisher 2’, u arrestuan 5 persona, pjesë e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa 3 anëtarë të tjerë të këtij rrjeti u prangosën në janar të këtij viti në Tiranë. Konkretisht janë vënë në pranga të policisë shtetasit Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Besnik Mujeci është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, më konkretisht anëtar i Asamblesë komunale të Prishtinës. Zëdhënësi për mediat i LVV-së, Arlind Manxhuka, dha më herët një prononcim për Report Tv paralajmëroi një mbledhje urgjente. Pas mbledhjes, Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar Mujecin si pjesë të partisë.

5 të arrestuarit u lokalizuan në kryqëzimin e rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe ‘Sami Frashëri’, në Tiranë bashkë me dërgesën e lëndës narktoike. Konkretisht u sekuestruan 11300 tableta ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Policia thotë se droga shpërndahej në Tiranë e qytete bregdetare me makina me qira e për shkëmbimin e tabletave ekstazi caktoheshin vendet publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Konkretisht janë vënë në pranga të policisë shtetasit:
Mithat Ramadani 30 vjeç (banues në Prishtinë)
Besnik Mujeci, 40 vjeç (banues në Prishtinë
Kalem Picari, 24 vjeç (banues në Tiranë)
Ambra Myftari 28 vjeçe (banues në Tiranë)
Daniel Avdija 26 vjeç (banues në Tiranë).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:58
U kap bashkë me 4 të tjerë  me 11 mijë pilula ekstazi në Tiranë, Lëvizja Vetëvendosje përjashton anëtarin e Këshillit Bashkiak në Prishtinë, Besnik Mujaecin

1692111529_64db667a84fd8besnikmujeci1.jpg

Lëvizja vetëvendosje ka përjashtuar nga strukturat e partisë Besnik Mujaecin. Ai së bashku me 4 të tjerë u arrestua pasi u kapën duke shitur ekstazi në lokalet e Tiranës. Pas kontrolleve të policisë u sekuestruan 11 mijë doza ekstazi gati për shitje.

E plotë:

Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Diciplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast.

Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen.

Ora 13:40
Anëtari i saj kapet duke shpërndarë drogë ekstazi në Tiranë, ‘Vetëvendosje’ për Report Tv: Po bëjmë mbledhje urgjente, do marrim vendim

Arlind Manxhuka, në një prononcim për Report Tv në lidhje me arrestimin e Besnik Mujecit, anëtari i LVV-së (Lëvizje Vetëvendosje) i cili u kap në Tiranë bashkë me 4 persona të tjerë duke shpërndarë drogë ekstazi, thotë se po zhvillojnë një mbledhje urgjente për këtë rast dhe do të marrin një vendim.

‘Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin!- tha Manxhuka sekretar për mediat në LVV.

Ora 13:13
FOTO/ Shpërndanin drogë ekstazi në Tiranë, kush janë 5 të arrestuarit

1692097894_tearrestuarekstazitirane.jpg

Pesë persona nga Kosova dhe Shqipëria, u arrestuan në Tiranë me 11 mijë doza droge sintetike ekstazi me vlerë 400 mijë euro. Një prej të prangosurve është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Report Tv ka siguruar fotot e 5 të arrestuarve, konkretisht Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Ora 12:34
Anëtari i Asamblesë së LVV-së së Albin Kurtit kapet me 11 mijë doza ekstazi në Tiranë

 1692097285_Screenshot1.jpg

Drejtoria e Policisë në Tiranë ka bërë të ditur se pas një aksioni policor të koduar “Punisher 2” që shpërndanin ekstazi ka arrestuar pesë persona, dy prej tyre shtetas të Kosovës.

Dy shtetasit nga Kosova që janë kapur nga Policia e Shqipërisë si të dyshuar për trafikim të lëndëve narkoktike nga Kosova për në Shqipëri janë Mithat Ramadani 30 vjeç dhe Besnik Mujeci 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Besnik Mujeci është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe asamblist i partisë që drejton kryeministri Albin Kurti në Komunën e Prishtinës.

Personat e dyshuar janë arrestuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Ora 11:18
VIDEO/ Pamjet nga operacioni i sekuestrimit të tabletave ekstazi që vinin nga Kosova, droga kapte vlerën 400 mijë euro

Janë publikuar pamjet nga operacioni ‘Punisher’ ku u sekuestruan 11 300 tableta ekstazi që vinin nga Kosova nëpërmjet linjës së autobusëve të pasagjerëve Prishtinë-Durrës. Në tabletat ekstazi siç shihet është stampuar logoja e markës luksoze ‘Louis Vuitton’. Droga pasi vinte në Durrës shpërndahej në Tiranë e qytete bregdetare nëpërmjet makinave të marra me qira.

Ora 10:57
Sekuestrimi i 11 mijë e 300 kokrrave ekstazi në Tiranë, droga vinte me autobusët Prishtinë-Durrës! Në qytetet bregdetare shpërndahej me makina me qira

 

Një sasi e madhe ekstazi është sekuestruar nga policia e Tiranës pas goditjes së një grupi shpërndarësish droge. Në kuadër të operacionit ‘Punisher 2’ u sekuestruan 11 mijë e 300 ekstazi me peshë 5 kg. Ekstazia vinte nga Kosova me linjën e autobusëve Prishtinë Tiranë dhe shpërndahej në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Sipas policisë ekstazia dërgohej nga Durrësi në Tiranë ose drejt qyteteve bregdetare nëpërmjet makinave me qira e shkëmbimi bëhej në vende publike me shumë njerëz.

Deklarata e plotë e policisë
 
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj në konferencë për shtyp në lidhje me finalizimin me sukses pas një hetimi disamujor të operacionit policor të koduar “PUNISHER 2”. Jam sot këtu së bashku me Zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Zëvendësdrejtorin për Sigurinë Publike dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, për të bërë prezente rezultatet e operacionit të koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u godit një grup që trafikonte nga Kosova në Shqipëri dhe shpërndante lëndë narkotike ekstazi MDMA. Në janar të këtij viti, është finalizuar operacioni policor i koduar "PUNISHER", në kuadër të cilit u godit një grup shpërndarësish të drogave sintetike, u arrestuan 3 shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër, si dhe u sekuestruan 1007 tableta ekstazi MDMA.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të veprimeve të thelluara në drejtim të hetimit të furnitorëve për grupin e arrestuar në janar, kanë rënë në gjurmët e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike, nga Kosova në Shqipëri. Pas një hetimi disamujor me metoda speciale të hetimit, nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e  Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi që përbëhej nga 5 persona.

Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës "Myslym Shyri" dhe "Sami Frashëri", së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta. Dëshiroj të falenderoj publikisht drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë z. Arenc Çela dhe prokurorin e çështjes z. Ndini Tavani, për drejtimin me profesionalizëm dhe vendosmëri të këtij hetimi. Sigurojmë qytetarët se strukturat e Policisë që operojnë në qarkun e Tiranës së fundmi edhe në territorin e Bashkisë Krujës po vijojnë me përkushtim luftën e pandërprerë kundër çdo paligjshmërie dhe në këtë kuadër ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me strukturat policore me qëllim,  krijimin e një ambienti akoma edhe më të sigurtë për qytetarët, vizitorët dhe turistët, e mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve tanë.
 

Ora 10:03
FOTO/ Me logon ‘Louis Vuitton’, si shitej droga ekstazi në lokalet e Tiranës

1692086357_ekstazi.jpeg

Report Tv ka siguruar foton e dozave të ekstazisë që shpërndaheshin në lokalet e ish-Bllokut në Tiranë. Në kokrrat e drogës ekstazi shihet se janë stampuar logoja e 'Louis Vuitton'. Burime bëjnë me dije se janë sekuestruar rreth 10 mijë doza ekstazi.

SI.E./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Grupi: 15/08/2023 10:06

    Kalbini ne burg qelbesirat se po vrasin rinine me kete. Ekstazi demton dhe dobeson shume zemren. Keta horrra qe duan te pasurohen duke vrare njerez nuk duhet te shohin me driten e diellit. Te urojme qe gjyqtari dhe prokurori te mos jete klient i ketyre piave.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje