Dy vëllezër Ndriçim Balla dhe Indrit Dauti (Balla), janë arrestuar nga policia e Durrësit pasi shisnin drogë pranë shkollave, në lokale dhe ambiente të ndryshme.
Arrestimi i tyre u krye në kuadër të operacionit ‘Tempulli’ në Shijak, ndërsa është sekuestruar 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që këta shtetas i përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza, 2 automjete dhe 4 celularë.
Policia ka publikuar edhe pamje nga operacioni, ndërsa për ta fshehur lëndën narkotike dy trafikantët e kishin futur në një kavanoz duke e groposur në dhé.
‘Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit Ndriçim Balla, 45 vjeç, dhe Indrit Dauti (Balla), 41 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Pjezë, Shijak, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që këta shtetas i përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza, 2 automjete dhe 4 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.’- njofton policia.