TIRANË - 9 administratorë të 8 bizneseve që tregtojnë produkte të markave luksozve janë vënë nën hetim pasi shisnin mallra të kontrabanduara,  pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën dhe zhdoganimin.

Gjatë kontrolleve në këto subjekte, policia njofton se ka sekuestruar 16 aparate celularë, 10 njësi kompjuterike, 1 laptop, 11 çanta dhe veshje të markave luksoze.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Si rezultat i verifikimeve të vazhdueshme dhe hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me qëllim goditjen e paligjshmërive në këtë fushë, u finalizua në bashkëpunim me Prokurorinë, operacioni i koduar “Illegal trade”, në kuadër të të cilit, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u kryen kontrolle në 8 subjekte me aktivitet në fushën e tregtimit të produkteve të markave luksoze.

Nga kontrollet në këto subjekte u sekuestruan: 16 aparate celularë, 10 njësi kompjuterike, 1 laptop, 11 çanta dhe veshje të markave luksoze, pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën dhe zhdoganimin. Gjithashtu, nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se të ardhurat nga shitjet e tyre nuk deklaroheshin në organet tatimore, dhe se në njërin subjekt, shiteshin produkte, pa kuponë. Për këtë të fundit u mor masa e pezullimit të ushtrimit të aktivitetit.

Në përfundim të veprimeve proceduriale nisi procedimi penal për shtetasit Gj. H., N. R., S. S., A. D., B. D., A. L., A. L., K. Gj. dhe J. B., administratorë ose përfaqësues të subjekteve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.