DurrësNjë 36-vjeçar është arrestuar nga blutë e Durrësit për shitje të kokainës në doza.

Gjatë kontrolleve të kryera shërbimet e policisë i gjetën 60 doza kokainë

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, si rezultat i punës hetimore të kryer për disa javë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacionin e koduar "Midnight". Gjatë operacionit u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 36 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën atij, një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë të ndarë në 60 doza, me qëllim shitjen. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas shiste Kokainë në qytetin e Durrësit”, njoftoi sot policia.

Ndërkohë kanë nisur hetimet për një tjetër, pasi u kap me një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë

“Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, shtetasi B. O., 36 vjeç, banues në Durrës. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, nisi procedimi penal për këtë shtetas”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale për këto dy raste iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

______________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë