Lushnjë - Pesë muaj hetime çuan policinë e Fierit në arrestimin e një shpërndarësi të drogave të forta në qendër të Lushnjës.
Marko Xhafa 32 vjec, dyshohet se shpërndante në këtë qytet droga të forta përfshirë kokainën.
Burime nga komisariati i Lushnjës sqaruan se 32 vjeçari lëvizte me automjet duke tregtuar lëndën narkotike. Policia e Fierit shtoi se i riu është me precedentë penal në krimet kundër pasurisë, por nuk ka qenë i dënuar më parë.
Po këto burime thanë se hetimi për rastin po vazhdon për të zbardhur se nga e merrte drogën 32 vjeçari.Në momentin e arrestimit Xhafa kishte me vete dhjetëra doza kokaine të cilat u sekuestruan si provë materiale.
Për policinë e Fierit kapja e tij është vetëm fillimi i një hetimi më të gjerë për zbardhjen dhe çmontimin e një rrjeti të madh të trafikimit dhe shpërndarjes së drogave të forta në zonë.
Aktivitetin e tij 32 vjeçari e kamuflonte duke udhëtuar jashtë vendit si punëtor sezonal në vendet fqinje, por drogën dyshohet se e blinte brenda vendit për ta shpërndarë më pas në zona të ndryshme të Lushnjës.
“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që shiste lëndë narkotike të forta, në doza, në zona të ndryshme të rrethit Lushnjë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasin M. Xh.,32 vjeç, banues në Lushnjë.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.










Komente
Komento