Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi shiste lëndë narkotike në qytet.

Gjatë kontrollit, në automjetin e të riut u gjetën doza kanabisi, një grirëse për përgatitjen e lëndës narkotike dhe u konstatua se ai drejtonte makinën në mënyrë të parregullt, pasi kishte lejen e pezulluar.

Policia sekuestroi automjetin, lëndën narkotike dhe celularin e tij, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në të dhënat e siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar në qytetin e Lezhës, një automjet me të cilin dyshohej se qarkullonte një shtetas që shiste lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin D. Sh. dhe kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis.

Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas e drejtonte automjetin në mënyrë të parregullt, pasi i ishte pezulluar leja e drejtimit. Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi: D. Sh., 27 vjeç, banues në fshatin Balldre, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, një grirëse për lëndët narkotike, automjeti dhe celulari i 27-vjeçarit”, informoi policia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.