Gjykata e Posaçme ka dënuar sot 4 persona për shit-blerje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.
Ndoc Guri dhe Arben Kolaj akuzohen për 2 vepra penale, atë të shitjes e blerjes së votës, dhe përfundimisht janë dënuar me nga 1 vit e 4 muaj burgim, që është konvertuar në 2 vite e 8 muaj shërbim prove për secilin, me kusht që të mos kryejnë asnjë vepër penale dhe të mos shoqërohen me persona të dënuar gjatë kësaj periudhe.
Ndrekë Lera është dënuar për blerje votash dhe është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim, vendim i cili është pezulluar, duke caktuar shërbim prove për të pandehurin për një periudhë 4-vjeçare, me kusht që të mos kryejë asnjë vepër penale dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar gjatë kësaj periudhe.
Ndërsa për Ilir Sokolin, gjithashtu i dënuar për blerje votash, GJKKO pezulloi dënimin 1-vjeçar me burg, dhe i caktoi kryerjen e 120 orëve pune për interes publik.
SPAK thotë se gjatë zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021 është konstatuar një skemë e qartë e korrupsionit zgjedhor, e cila përfshinte ofrimin e shpërblimeve monetare në këmbim të votës.
Skema korruptive konsistonte në një model të organizuar të blerjes së votës, ku individë të lidhur me një forcë politike kanë ofruar shuma të caktuara parash (rreth 5.000 lekë për votë) për qytetarë të ndryshëm, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Kjo është realizuar ose përmes dhënies së drejtpërdrejtë të parave për votën e tyre, ose përmes angazhimit të personave të tretë për të ndikuar te zgjedhës të tjerë.
Gjatë hetimeve janë përdorur mjete të posaçme hetimore, përfshirë përgjime telefonike, të cilat kanë evidentuar se shtetasi Ndrekë Lera ka pasur një rol qendror në këtë aktivitet kriminal, duke u përfshirë drejtpërdrejt në biseda që lidhen me premtimin dhe organizimin e pagesave për vota në favor të një subjekti politik.
Komente